Shkarkoi padrejtësisht ish-drejtorin e UK, Mark Molla/ GJKKO dënon Bardh Spahian me 100 mijë lekë gjobë

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor deputetin e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, duke e dënuar me 100 mijë lekë gjobë për moszbatim të një vendimi gjykate.

Çështja lidhet me largimin nga detyra të ish-drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve, Mark Molla, i cili kishte bërë kallëzim duke pretenduar se ishte shkarkuar në mënyrë të padrejtë.

Nga hetimet rezulton se Spahia ka thirrur një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme dhe ka marrë vendim për të mos riemëruar Mollën.

Më pas, më 18 korrik 2022, është zhvilluar një tjetër mbledhje, ku është vendosur largimi i tij nga detyra dhe emërimi i Arvit Bushatit në krye të institucionit.

Sipas Prokurorisë, këto veprime janë kryer edhe pse ekzistonte një vendim për pezullimin e shkarkimit të Mollës, i cili nuk është zbatuar.

Në përfundim të shqyrtimit, gjykata vendosi dënimin me gjobë për Bardh Spahian.