Mazhoranca bën pas me ligjin për Gardën/ Mile zbulon nga Kuvendi pse u vendos tërheqja e draftit

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Mile, ishte i ftuar në një lidhje direkte për Ora News nga Kuvendi, ku foli për tërheqjen e projektligjit për ndryshimet në ligjin organik të Gardës së Republikës.

Në nisje të bisedës, ai sqaroi se nisma kishte si qëllim përditësimin e ligjit ekzistues dhe përshtatjen e tij me nevojat aktuale të institucioneve të sigurisë.

“Ky është një ligj që sjell disa ndryshime në ligjin organik të Gardës së Republikës. Ishte një ligj që duhej riparë dhe përditësuar, për të qartësuar disa norma dhe për të shmangur përplasjet me akte të tjera ligjore.”-tha ai.

Sipas tij, projektligji parashikonte edhe hapjen e mundësisë që punonjës nga institucione të tjera të sigurisë, si Policia e Shtetit dhe Ushtria, të mund të kalonin dhe të ndërtonin karrierë në Gardën e Republikës.

Megjithatë, pas diskutimeve në komisionet parlamentare dhe me ekspertë, mazhoranca vendosi të tërhiqte nismën për një rishikim më të thelluar.

“Ligji është tërhequr me kërkesë të grupit parlamentar, pasi diskutimet kërkojnë një analizë më të detajuar për të parë efektet ligjore që do të sjellin ndryshimet.”-shtoi Mile.

Mile sqaroi se bëhet fjalë për një proces normal rishikimi dhe se projektligji pritet të rikthehet për miratim pasi të jetë përpunuar më tej.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: