"Presidenti të mos e dekretojë”/ Bozdo kundër ligjit për portet turistike: BE e tha qartë, foli me gjuhë të ashpër, shkelje e direktivave!
Deputeti demokrat Eno Bozdo, akuzoi mazhorancën për projektligjin e fundit që votoi në Parlament, mbi portet turistike, duke i kërkuar Presidentit që të mos e dekretonte.
Ai kujtoi reagimin e ashpër të Bashkimit Evropian mbi këtë votim të mazhorancës, duke deklaruar se ai ligj dëmtonte direktivat evropiane dhe mund të dëmtojë gjithashtu procesin e integrimit të Shqipërisë.
“Miratimi i seancën së kaluar në Kuvend, për portet turistike, ka qenë e qartë, edhe në fjalën e deputetëve të opozitës edhe në Komisionet Parlamentare, dhe ka qenë që ky projektligj jo vetëm të mos miratohet, por edhe të kthehet mbrapsht, sepse është në shkelje të ligjeve tona edhe të direktivave kryesore për konkurrueshmërinë të Bashkimit Evropian. Dhe e patë edhe reagimin e djeshëm shumë të ashpër të BE, i cili praktikisht me një fjalë tjetër po në thelb i nxori 100% të vërteta, me të njëjtat argumente si opozita dhe deputetët e opozitës e kishin rrëzuar më parë dhe i kishin bërë thirrje këtu që të mos e kaloni”, tha deputeti.
Ai u shpreh gjithashtu se edhe ligji për investitorët strategjik u përmend nga BE dhe nuk duhet të futet në diskutim, pasi është në axhendën e reformave për t’u refuzuar dhe nuk i shërben direktivave evropiane.
“Pra BE e rrëzoi ligjin që ju miratuar, me të njëjtat argumente të opozitës. Madje edhe përsa i përket ligjit për investitorët strategjik u përmend edhe nga BE-ja, iu referua atij ligji, që u përmend edhe nga ne që të mos futej për diskutim apo, duke ju thënë se është futur në axhendën e reformave për t’u shfuqizuar. Meqë këtu ka dashnorë të reformave kundrejt BE-së, ja pra ky është argumenti tjetër. Në qëndrimin tim nuk kam çfarë them, e kemi thënë herën e kaluar se ky ligj dëmton konkurrencën, e tha edhe BE me një gjuhë aspak diplomatike, mos e dekretoni dhe t’ua kthejë mbrapsht Shqipërisë atë ligj”, tha Bozdo.
Në fund ai i kërkoi Kuvendit dhe kryeparlamentarit peleshi që t’i drejtoheshin presidentit Bajram Begaj që të mos e dekretonte ligjin për portet turistike dhe ta kthente mbrapsht.
“Ky ligj dëmton konkurrencën dhe është klientelist. Është në nderin e këtij Kuvendi që t’i drejtohet Presidentit dhe t’i kërkon unanimisht për hir të kritereve evropiane dhe procesit të integrimit, që të mos e dekretojë atë ligj dhe ta kthejë mbrapsht”, tha ai.
