Samiti i Diasporës, Ismaili: 108 mijë shqiptarë të rikthyer, mbi 25 mijë vetëm në 2023
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili i është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me organizimin e samitit të diasporës në Tiranë, duke theksuar se rezultatet konkrete janë prova e punës së qeverisë.
Në fjalën e saj në Kuvend, Ismaili u shpreh se politikat dhe nismat e ndërmarra gjatë viteve të qeverisjes së Partisë Socialiste kanë sjellë rezultate të dukshme.
Sipas saj, samiti i Diasporës është vetëm një pjesë e një strategjie më të gjerë për përfshirjen e shqiptarëve jashtë vendit në zhvillimin ekonomik dhe vendimmarrje, duke përmendur programe si nxitja e investimeve, rikthimi i emigrantëve, shërbimet online, mbështetja për startup-et dhe krijimi i “Diaspora Business Hub”.
Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar përmes iniciativave si mësimi i gjuhës shqipe dhe shpërndarja e librave në diasporë.
Duke iu referuar të dhënave, Ismaili deklaroi se nga viti 2011 deri në vitin 2024 janë rikthyer në Shqipëri mbi 108 mijë shtetas, ku 45% e tyre vetëm në periudhën 2020–2024. Sipas saj, rreth 30% e të rikthyerve kanë hapur biznese në vend.
Ajo shtoi se vetëm gjatë vitit 2023 janë rikthyer 25,595 shqiptarë, duke i cilësuar këto shifra si tregues të qartë të bashkëpunimit mes shtetit dhe diasporës.
Ismaili u shpreh se “shifrat janë kokëforta” dhe përballen me çdo pretendim apo kritikë, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës si të pabazuara.
