"21 janari"/ Xhaxhai i Aleks Nikës hyn në Parlament, kërkon ndihmë nga deputetët
Kanë kaluar 2 vite e gjysmë nga vendimi i Gjykatës së Strasburgut dhe 2 vite nga ai i Gjykatës së Lartë, të cilat kërkuan identifikimin e përgjegjësve për vrasjet e 21 janarit 2011, por në SPAK ende nuk ka një përfundim të hetimeve.
Për Mark Nikën, xhaxhain e Aleks Nikës që humbi jetën 15 vite më parë para Kryeministrisë, kjo situatë tregon mungesë vullneti nga ana e Prokurorisë së Posaçme për të çuar përpara çështjen. Për këtë arsye, ai është paraqitur këtë të enjte në ambientet e Kuvendit për t’i dorëzuar një kërkesë kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Mësohet se Mark Nika i ka kërkuar Ballës ndërhyrjen e Kuvendit për të nxitur përshpejtimin e hetimeve nga SPAK. Sipas tij, edhe një rezolutë parlamentare që do t’u bënte thirrje prokurorëve për këtë çështje do të kishte ndikim pozitiv.
Ai thekson se nuk janë zbatuar kërkesat e Gjykatës së Strasburgut dhe të Gjykatës së Lartë për zbardhjen e rolit të zinxhirit komandues të Gardës, përfshirë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Sipas Nikës, Kuvendi duhet të ndërhyjë, duke qenë institucioni që mbikëqyr zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Rreth tre javë më parë, Mark Nika ka zhvilluar edhe një takim me drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, ku ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e hetimeve dhe faktin që, edhe pas 15 vitesh, jo të gjithë personat që kanë dijeni për ngjarjen janë marrë në pyetje.
