Balla kërkon shtyrjen e diskutimit për projektligjin e Gardës së Republikës: Nevojitet më shumë kohë...
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kërkoi shtyrjen e diskutimit për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Gardën e Republikës”.
Ai tha se nevojitet më shumë kohë për shqyrtim në komisione dhe përgatitje për debat në seancë. Në fjalën e tij, ai vlerësoi Gardën e Republikës si një institucion elitë të sigurisë, duke nënvizuar se punonjësit e saj meritojnë mbështetje dhe respekt, ndërsa hodhi poshtë çdo akuzë apo insinuatë ndaj këtij institucioni.
Fjala e plotë:
Unë nuk e kuptova se si të kërkosh në komisione më shumë kohë edhe për t'u përgatitur për debatet, dhe pastaj të vish këtu të thuash ndryshe, megjithatë kjo është ajo shembulli tipik i rastit kur nuk dinë çfarë kërkojnë. Megjithatë, në rastin në fjalë, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar, kam kërkuar shtyrjen për seancën pasardhëse, nuk është aspak e vërtetë ajo që u tha këtu. Garda e Republikës është një institucion elitë në grupin e institucioneve të sigurisë në vend, punonjësit e Gardës së Republikës meritojnë respekt, e vërteta është që gjithmonë duhet t'i ofrojmë mbështetjen tonë Gardës së Republikës, e cila bën një detyrë të rëndësishme, dhe ndërkohë çdo lloj akuze apo insinuate dhe çdo lloj shpifje ndaj Gardës së Republikës është e ulët, Garda e Republikës i shërben autoriteteve të shtetit pavarësisht nëse je sot qeveri, apo je sot në opozitë. Kështu që, zoti kryetar i Kuvendit, i qëndroj propozimit tim, ka qenë një propozim edhe nga kolegë deputetë të opozitës në komisione, dhe është një praktikë pune për shkak se kemi shumë çështje të tjera, kjo çështje të kalojë për shqyrtim në seancën e datës 23. Faleminderit.
