KU DËSHTOI MBROJTJA NGA ZJARRI? Inxhinierja Mane: Materiale të papërshtatshme dhe mungesë skeme emergjence

Zjarri në kompleksin “Arlis shpk” ka ngritur dyshime serioze për shkelje të standardeve të sigurisë në ndërtim dhe mbrojtje nga zjarri. Ekspertë të fushës thonë se mënyra e përhapjes së flakëve sugjeron përdorimin e materialeve të papërshtatshme në fasadë, ndërsa një tjetër problem i evidentuar është mungesa ose moszbatimi i një skeme emergjence. Edhe pse ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e shpejtë, zjarri është shuar pas disa orësh, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, fatmirësisht pa viktima.

Pa pasur në dorë raportet zyrtare për përbërjen e materialit, por vetëm nga mënyra e shpërthimit të flakëve, inxhinierë të fushës kanë ngritur dyshimin se materiali i përdorur në fasadën e kompleksit “Arlis shpk” nuk ishte i duhuri.

Sipas inxhinieres Deshira Mena, një nga shkeljet kryesore që vihet re menjëherë është mungesa e projektimit ose moszbatimi i një skeme të mirëfilltë emergjence, e cila në raste të tilla është vendimtare për izolimin dhe minimizimin e zjarrit që në momentet e para.

Mena nënvizon se sistemi i mbrojtjes nga zjarri duhet të funksionojë si një zinxhir i plotë, pasi mosfunksionimi i njërit nga elementët sjell pasoja të rënda, siç ka ndodhur edhe në këtë rast.

Ndërkohë, edhe pse shërbimi zjarrfikës ka mbërritur në vendngjarje në kohë rekord, operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit ka zgjatur rreth 4–5 orë, një kohë e konsideruar e gjatë për një zonë të banuar dhe me densitet të lartë. Për fat të mirë, nuk raportohet për humbje jete, por dëmet materiale janë cilësuar si katastrofike.

Ekspertët theksojnë se përveç masave parandaluese, një rol kyç luan edhe faza e ndërhyrjes pas rënies së zjarrit.