“Bie rrjeti" i dr*gës, arrestime në Tiranë dhe Krujë. Ja çfarë bëhet me dije...
Dy persona janë arrestuar nga Policia në Tiranë dhe Krujë për shitje të lëndëve narkotike.
Bëhet fjalë për një 30-vjeçar nga Tirana dhe një 19-vjeçar nga Kruja, të cilët u kapën në dy raste të ndryshme gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia.
30-vjeçari u ndalua në rrugën “Mine Peza”, ku gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi kokaine. Më pas, gjatë kontrollit në banesën që ai kishte marrë me qira, u zbulua edhe një sasi tjetër e së njëjtës lëndë, e cila dyshohet se mbahej për shitje.
Ndërkohë, në Krujë, gjatë kontrollit në banesën e 19-vjeçarit, policia gjeti 256 gramë cannabis sativa, që dyshohet se do të shpërndahej në qytet.
Të dy rastet po hetohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa materialet janë dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

