“7 mijë euro ora e helikopterit”, zjarrfikësi analizon situatën te kompleksi “Arlis”: Ishte një katrahurë…

Zjarrfikësi Alban Laçi ka analizuar situatën e zjarrit që përfshiu dje një pallat pranë QSUT, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes dhe menaxhimit të operacionit.

I ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, Laçi u shpreh se përdorimi i disa mjeteve dhe mënyra e ndërhyrjes lënë vend për debat, sidomos sa i përket evakuimit dhe angazhimit të helikopterit.

Pyetja që lind është: a ishte i nevojshëm evakuimi nga shkalla, autoshkalla aty? Kjo ha diskutim, sepse ky zjarr ka filluar nga pjesa e jashtme, nga fasada, dhe pastaj është futur brenda. Ato janë apartamente të izoluara dhe teknikisht nuk depërton në shkallë. Kur projektet janë projektuar, janë projektuar në mënyrë të atillë”, u shpreh ai.

Sipas tij, një nga problemet më të mëdha ishte përdorimi i helikopterit, të cilin e konsideroi të panevojshëm dhe joefektiv në këtë rast.

Është një turp i madh përdorimi i helikopterit në këtë ngjarje sepse nuk kryen asnjë lloj funksioni. 7 mijë euro ora është kostoja e helikopterit. Pilotët e helikopterit i njoh personalisht, janë çuna të shkëlqyer. Edhe manovrat që kanë bërë aty duke hedhur ujin deri në fasadë… ndërhyrja është shumë komplekse dhe është përgjegjësi e Shërbimit Zjarrfikës, që drejton ngjarjen”, deklaroi Laçi.

Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e përgjithshme të menaxhimit të situatës në terren, duke e cilësuar si të çorganizuar.

Aty ishte një katrahurë, një rrëmujë që bëhet në çdo ngjarje në Shqipëri, dhe nuk menaxhohen ashtu siç duhet. Ka nevojë urgjente për ngritjen e shkollës së Shërbimit Zjarrfikës dhe largimin e politikës nga Shërbimi Zjarrfikës. Nuk mund të futet prefekti, apo X e Y, sepse janë gjëra teknike që duhet t’i zgjidhin teknikët. Ajo teknikë, për fat të keq, mungon në Shqipëri”, përfundoi ai