Operacioni me 11 urdhër-arreste/ SPAK: Aksion kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe…

SPAK ka reaguar lidhur me operacionin e fundit, ku janë lëshuar 11 urdhër-arreste ndaj një grupi të dyshuar për trafik droge. SPAK bën me dije se operacioni është në zhvillim dhe po realizohet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Sipas SPAK aksioni lidhet me hetime për një procedim penal që përfshin veprimtari të krimit të organizuar, trafik të lëndëve narkotike si dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

“Në përgjigje të kërkesave tuaja, ju njoftojmë si vijon: SPAK, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po zhvillon një operacion në kuadër të hetimeve për një procedim penal, që lidhet me krimin e organizuar, trafikun e lëndëve narkotike dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Detaje të mëtejshme do të bëhen publike në vijim,” thuhet në reagim.

Mes 11 urdhër-arresteve është edhe Jetmir Pepa, pronar i kompanisë së ndërtimit Pepa Group. Urdhër-arresti për Jetmir Pepën nuk është ekzekutuar, pasi ai ndodhet jashtë vendit. Urdhër-arrestet janë lëshuar nga prokurori Alfred Shehu, ndërsa operacioni është shoqëruar me arrestime dhe kontrolle. Aksioni i SPAK vijon, ndërsa në orët në vijim priten detaje në lidhje me këtë operacion.

Jetmir Pepa është ish-bashkëshorti i Mariela Berishës, motrës së Antonela Berishës, e cila së bashku me motrën e saj dhunuan brutalisht blogeren Klea Prenga, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 6 gushtit 2024.

Pepa është një personazh me precedent të mëparshëm kriminal dhe i shpallur në kërkim më herët pas një sherri me armë në një koncert. Ai rezulton në kërkim nga Policia e Tiranës pas ka qëlluar me armë zjarri në Parkun Olimpik në një koncert festiv natën e ndërrimit të viteve.

Pas një sherri, Pepa ka qëlluar dy herë me armë zjarri në mes të koncertit, ku po festohej nata e ndërrimit të viteve dhe më pas është larguar.