Ç’po ndodh me Sazanin? Rama: Ishulli ka qenë dhe do të jetë i Shqipërisë! Akoma nuk i kemi mbyllur negociatat, sepse...

Në mes të një vale lajmesh dhe spekulimesh, qeveria ka hedhur dritë mbi të ardhmen e ishullit të Sazanit, duke përgënjeshtruar kategorikisht zërat për shitjen e tij tek familja e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Ishte vetë kryeministroi Edi Rama i cili theksoi se Sazani nuk është shitur dhe nuk do të shitet, pasi ai është dhe do të mbetet pronë e patjetërsueshme e Republikës së Shqipërisë.

Projekt-marrëveshja për zhvillimin e ishullit është ende në fazë negocimi dhe nuk ka arritur në një përfundim.

Një nga pikat kyçe të diskutimit është fakti se shteti shqiptar do të jetë partner dhe bashkëpronar në kompaninë e përbashkët që do të menaxhojë investimin dhe administrimin e ishullit.

Kjo, tha Rama, garanton që interesat publike do të jenë të përfaqësuara dhe të mbrojtura në këtë iniciativë strategjike.

Ndryshe nga sa është aluduar, Rama tha se projekti nuk parashikon kthimin e Sazanit në një resort ekskluziv dhe të mbyllur për publikun.

Plani i zhvillimit është modifikuar për të minimizuar ndërtimet, duke i lënë vend një vizioni me fokus kulturor dhe artistik. Ishulli nuk do të rrethohet me mure apo të kthehet në një “rezervat të privilegjuar”, por do të jetë i aksesueshëm.

Projekti për Sazanin shihet si pjesë e një zhvillimi më të gjerë, që përfshin edhe zonën private përballë tij, ku janë angazhuar arkitektë me famë botërore.

Pritshmëritë, tha Rama, janë që ky investim të shndërrohet në një nga projektet më të bukura në Mesdhe, duke rritur në mënyrë të jashtëzakonshme vlerën e të gjitha pronave dhe investimeve në rajon.

Edi Rama: “Shiko, se këtu flitet shumë për gjithçka edhe për fat të keq, bëhen fakte gjëra të pavërteta, marrin dhenë edhe bëhen të vërteta, edhe s'ka zot pastaj që i ndryshon ato gënjeshtra që janë bërë të vërteta. Më lër të mbaroj, se është hapur gjithandej edhe kur shkruajnë mediat e huaja thonë që qeveria ka shitur, ia ka shitur ishullin e Sazanit familjes së Trumpit. Kjo është e pavërtetë.

Ne nuk e kemi shitur dhe nuk e shesim ishullin, sepse Sazani është pronë e Republikës së Shqipërisë, do të mbetet pronë e Republikës së Shqipërisë, e para.

E dyta, ne nuk e kemi përfunduar akoma sot që flasim negociatën për Sazanin. Pse dhe nuk e kemi përfunduar dhe çfarë po negociojmë ne? Sepse Republika e Shqipërisë, shteti shqiptar do të jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe do të administrojë ishullin. Kështu që edhe në këtë pikë, domethënë, si të thuash, shqiptarët janë të përfaqësuar nga shteti në këtë iniciativë.

E treta, nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin. Pra nuk do jetë një resort i mbyllur, siç mund të ketë resorte të vogla që janë të mbyllura me mure dhe që hyjnë vetëm ata që banojnë ose ata që ftohen. Nuk do të jetë i mbyllur. Se nuk do bëhet rezervat i privilegjuar.

E katërta, projekti i Sazanit ka ndryshuar në proces, si projekt ndërtimi. Pra, aty do të ketë shumë pak ndërtime dhe do të ketë një profil kulturor, artistik të rëndësishëm. Dhe unë besoj që do jetë një nga projektet më të bukura që janë zhvilluar në Mesdhe. Dhe bashkë me pjesën përballë Sazanit që është pjesa private, por që zhvillimi po ndodh në të njëjtën dorë, ku janë përfshirë arkitektë nga më të mëdhenjtë e botës, do jetë vërtet një zhvillim që do t'i rrisë vlerën në mënyrë të jashtëzakonshme e gjithë investimeve këtu”.