Zgjedhjet lokale 2027, KQZ u kërkon bashkive përcaktimin e qendrave të votimit
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, u është drejtuar bashkive të vendit, me një letër zyrtare ku kërkon të marrin masat paraprake për përcaktimin e qendrave të votimit që do të përdoren në pranverën e vitit 2027.
Sipas Kodit Zgjedhor, qendrat e votimit duhet të vendosen në ambiente publike, kryesisht në shkolla, qendra komunitare ose institucione shtetërore.
Në këtë kuadër, KQZ kërkon që ambientet e përzgjedhura të jenë të aksesueshme, të garantojnë neutralitet politik, qetësi dhe siguri gjatë procesit të votimit, si dhe të ofrojnë hapësirë të mjaftueshme për dhomat e fshehta, vendosjen e kutive të votimit dhe pajisjet teknologjike. Po ashtu, kërkohet që këto ambiente të jenë të përshtatshme edhe për personat me aftësi të kufizuara.
KQZ u ka lënë një afat prej 10 ditësh 61 kryetarëve të bashkive për të përpiluar listën e ambienteve ku qytetarët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Kodit Zgjedhor, periudha zgjedhore për zhvillimin e procesit elektoral është e përcaktuar mes datave 15 prill dhe 15 maj.
