Fitorja e opozitës në Hungari, Berisha: Shembull i zgjedhjeve të lira

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zgjedhjet e mbajtura një ditë më parë në Hungari, të cilat rezultuan me fitoren e opozitës.

Berisha ka uruar Péter Magyar për fitoren, duke e cilësuar procesin si shembull të demokracisë.

Berisha vlerësoi edhe qëndrimin e Viktor Orbán për pranimin e humbjes pas 16 vitesh në pushtet, ndërsa krahasoi zgjedhjet në Hungari me situatën në Shqipëri, duke akuzuar Edi Rama për manipulim elektoral.

“Qeveria e Orban nuk ndërtoi një komision zgjedhor karikaturë si ky i Shqipërisë, por ngriti një komision me përfaqësim të gjerë të spektrit politik”,- deklaron Berisha.

“Dje populli hungarez, në një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, votoi masivisht alternativën e paraqitur nga Péter Magyar, kryetar i partisë së qendrës së djathtë TISZA, anëtare e EPP-së. Me këtë rast, uroj zotin Magyar për fitoren elektorale dhe besimin e madh që mori nga qytetarët e vendit të tij. Shpreh gatishmërinë time dhe të Partisë Demokratike për një bashkëpunim të frytshëm me TISZA-n, si në rrafshin bilateral, ashtu edhe në atë të EPP-së, në interesin më të mirë të dy vendeve tona.

Dje, përmes votës së lirë, qytetarët hungarezë nxorën në opozitë kryeministrin Viktor Orbán dhe partinë e tij Fidesz, pas 16 vitesh në pushtet. Kryeministri Viktor Orbán, pasi pranoi publikisht dhe me dinjitet humbjen, uroi kundërshtarin e tij për fitoren dhe e vlerësoi ditën e djeshme si një festë të demokracisë, duke dëshmuar kështu respektin e tij të palëkundur ndaj votës së lirë të qytetarëve hungarezë dhe vlerave themelore të demokracisë e shtetit ligjor.

Për t’u theksuar është fakti se, në dallim të madh nga Edvin Kristaq Rama, kryeministri Viktor Orbán nuk zhvilloi një farsë elektorale, por zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai nuk u fali zgjedhësve dy miliardë euro gjoba dhe kamata dy ditë para votimit për të blerë votat e tyre dhe për të tjetërsuar rezultatin e zgjedhjeve. Ai nuk u dha pensionistëve, që përbënin gjysmën e votuesve, “dhurata” prej 100 eurosh në këmbim të votës, siç bëri Edi Rama në mesin e fushatës për zgjedhjet e 11 majit.

Ai nuk përdori organizata kriminale dhe kartele droge për të terrorizuar qytetarët e për të kontrolluar vullnetin e tyre, ashtu siç bëri “Ramaduro” në Shqipëri. Ai nuk dekretoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis për vota, siç veproi narkodiktatori në Shqipëri. Qeveria e tij nuk ndërtoi një komision zgjedhor karikaturë si ky i Shqipërisë, por ngriti një komision me përfaqësim të gjerë të spektrit politik. Së fundmi, kryeministri Orbán nuk vendosi nën kontroll 90% të mediave të vendit dhe nuk bllokoi TikTok-un si Edi Rama; përkundrazi, televizionet më të shikuara të Hungarisë mbështetën kundërshtarët e tij”,- shprehet Berisha ndër të tjera.