Samiti, Fino: Ta vendosim Diasporën drejtpërdrejt në procesin e integrimit dhe zhvillimit të vendit

Në Tiranë ka nisur Samiti i katërt i Diasporës, i cili do të zhvillohet përgjatë datave 13, 14 dhe 15 prill, me një pritshmëri të lartë për të kaluar nga faza e diskutimeve në atë të mekanizmave konkretë për angazhimin e shqiptarëve jashtë vendit.

Ky edicion pason një rrugëtim të gjatë, ku samiti i parë themeloi dialogun, i dyti në vitin 2019 institucionalizoi marrëdhëniet, ndërsa i treti u fokusua në diskutime tematike si arsimi, agroturizmi dhe vota e diasporës.

Në një intervistë për “Ora News”, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino bëri me dije se edicioni i katërt vjen në një moment kyç, pas përvojës së parë të votës së diasporës në zgjedhjet e kaluara, duke e kthyer këtë çështje nga një aspiratë në një realitet fillestar.

Pikërisht garantimi që përfshirja e diasporës në proceset zgjedhore të mos mbetet vetëm në nivel premtimesh është në qendër të këtij takimi.

Synimi, tha Fino, është që të shkohet përtej bisedimeve të thjeshta dhe të hartohen propozime konkrete që e vendosin diasporën drejtpërdrejt në procesin e integrimit dhe zhvillimit të vendit.

Në vijim, Fino bëri me dije se agjenda e samitit përfshin diskutime për mundësi konkrete, duke trajtuar çështje thelbësore si lehtësimi i investimeve të diasporës në Shqipëri dhe kthimi i remitancave në motor zhvillimi.

Gjithashtu, do të analizohen mënyrat se si ekspertiza e gjerë e diasporës mund të përdoret në procesin e integrimit evropian dhe si mund të forcohet zëri i saj në vendimmarrjen kombëtare.

Në këtë samit marrin pjesë personalitete të spikatura nga diaspora, përfaqësues të institucioneve të pushtetit qendror dhe lokal, si dhe aktorë nga bota e biznesit, universiteteve dhe partnerë ndërkombëtarë.

Pjesëmarrja e gjerë, tha ajo, synon të krijojë një platformë gjithëpërfshirëse për të parë diasporën jo thjesht si një temë diskutimi, por si një partner të vërtetë strategjik për të ardhmen e Shqipërisë.

PJESË NGA INTERVISTA

Megi Fino: Vijmë pas një periudhe të gjatë të diskutimeve të ndryshme me diasporën tonë, të zhvillimeve të ndryshme dhe ku kemi mësuar shumë, ku kemi pasur shumë sfida dhe mendoj se në këtë edicion kemi pritshmëri shumë të lartë për sa i përket mekanizmave më konkret të marrëdhënies tonë me diasporën.

Dhe besoj pritshmëria është edhe një rritje e dukshme e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë përmes rrjetit të saj njerëzor global.

Pra vijmë pas katër edicionesh ku i pari ka themeluar dialogun tonë të parë me diasporën, i dyti në 2019-ën bëri bashkë institucionet apo ngriti le të themi dhe institucionalisht marrëdhënien tonë me diasporën. Në samitin e tretë kemi pasur diskutime tematike, sektoriale, nga arsimi te agroturizmi, te inovacioni, vota e diasporës dhe këtë edicion ne vijmë pas votës së diasporës të bërë realitet, pra zgjedhjet e kaluara.

Dhe mendoj me shumë bagazh, me shumë piketa gjërash që ne kemi mësuar gjatë kësaj kohe, por sigurisht që ky samit do të jetë dhe një shtysë shumë e mirë për të vijuar më tej në marrëdhënien tonë me diasporën.

Si do të garantohet që përfshirja sigurisht e diasporës në proceset zgjedhore të mos mbetet vetëm në nivel premtimesh?

Megi Fino: Padyshim që në këtë samit bëhet fjalë për diskutime konkrete dhe për propozime dhe për çfarë do të krijohet. Pra, shkojmë përtej jo vetëm thjesht diskutimeve. Ne e njohim tani diasporën tonë, e kemi të qartë cilët janë ata dhe duhet ta çojmë në një fazë tjetër. E para njëherë, për ta vendosur diasporën tonë drejtpërdrejt në procesin e integrimit. Për ta parë diasporën tonë si partner të vërtetë në proceset tona dhe jo thjesht për të biseduar me diasporën.

Dhe në këtë samit do të flasim për mundësi konkrete, se si mund të investohet më lehtë në Shqipëri, si mund të kthehen remitancat në zhvillim, si mund të përdoret kjo ekspertizë e diasporës në procesin e integrimit evropian, por jo vetëm, dhe se si mund të forcohet zëri i tyre në vendimmarrje, pasi sikurse e përmenda, ne e kemi pasur dhe eksperiencën tanimë për herë të parë të votës së diasporës, por si mund ta çojmë përtej kësaj.

Dhe sigurisht që do të ketë personalitete të spikatura nga diaspora e gjerë, institucione të pushtetit qendror dhe lokal, por edhe biznese, universitete, akademi, pra partnerë ndërkombëtarë. Kështu që do të jetë një diskutim i gjerë dhe në lidhje me tema nga më të ndryshme.

PËR MË SHUMË, NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME MEGI FINON