“Të thuash ‘Rama ik’ nuk është strategji”/ Mile: Një reagim emocional, por s'jep përgjigje për të ardhmen e qytetarëve
I ftuar në studion e Ora News, analisti Klementin Mile foli për situatën politike në vend dhe mënyrën si po vepron opozita.
Sipas tij, qasja aktuale e opozitës, e përqendruar kryesisht te protestat kundër Edi Rama, nuk po arrin të prodhojë ndryshim real.
Ai solli si shembull zhvillimet në Hungari, ku një figurë e re politike arriti të ndryshojë debatin publik duke u fokusuar te sistemi dhe jo te individi.
“Problemi është që opozita po proteston kundër një personi. Por njerëzit nuk duan të dëgjojnë vetëm çfarë po bëhet keq, duan të dinë çfarë do bëhet ndryshe.”-tha ai.
Mile u ndal edhe te mënyra si është ndërtuar aksioni politik i opozitës në Shqipëri, duke u fokusuar kryesisht te thirrjet për largimin e kryeministrit.
“Të thuash ‘Rama ik’ nuk është strategji. Është thjesht një reagim emocional, por nuk i jep përgjigje qytetarëve për të ardhmen.”-shtoi Mile.
Ai shtoi se qytetarët kanë nevojë për një alternativë konkrete dhe një vizion të qartë për mënyrën si mund të funksionojë ndryshe qeverisja.
Në fund, analisti vuri në dukje se qëndrimi i gjatë në pushtet sjell konsum dhe rrit rrezikun e problemeve në qeverisje, duke e bërë edhe më të domosdoshme një opozitë që ofron zgjidhje dhe jo vetëm kritika.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

