Gazeta sportive spanjolle Marca: Muriqi bën histori dhe i afrohet Mbappé në garën për golashënuesin më të mirë

Gazeta sportive spanjolle Marca: Muriqi bën histori dhe i afrohet
Gazeta sportive spanjolle Marca i ka kushtuar një artikull futbollistit kosovar Vedat Muriqi, duke theksuar se ai po vazhdon të bëjë histori në kampionatin spanjoll dhe tashmë i është afruar ndjeshëm kryesuesit të renditjes së golashënuesve, Kylian Mbappé.

Java e 31-të e La Liga ka nxjerrë në pah emrin e protagonistit kryesor: Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar i RCD Mallorca udhëhoqi një tjetër fitore të skuadrës së tij me një dopietë ndaj Rayo Vallecano, duke hyrë kështu në historinë e klubit.

Me dy golat e realizuar, Muriqi u bë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit në Primera Division, duke kaluar rekordin e ish-sulmuesit legjendar Samuel Eto'o.

Po ashtu, këto dy gola e kanë afruar ndjeshëm kosovarin në krye të renditjes për “Pichichi”. Aktualisht, Mbappé kryeson me 23 gola, ndërsa Muriqi ka 21, vetëm dy më pak.

Me edhe shtatë ndeshje të mbetura deri në fund të kampionatit, Muriqi ka përpara një sfidë të madhe, duke përfituar edhe nga periudha pa gola e sulmuesit francez. Nëse arrin të marrë kreun e renditjes, ai mund të shpallet si një nga fituesit më të papritur të çmimit “Pichichi” në historinë moderne të La Ligës.