Sulm i armatosur ndaj autobusit të ekipit, humb jetën futbollisti 20-vjeçar Dominic Frimpong

Futbollisti ganez Dominic Frimpong ka humbur jetën pasi persona të dyshuar si grabitës të armatosur hapën zjarr ndaj autobusit që transportonte ekipin e tij, Berekum Chelsea, gjatë kthimit nga një ndeshje.

Federata e Futbollit të Ganës (GFA) shprehu “tronditjen e thellë dhe pikëllimin e madh”, duke i dërguar ngushëllimet më të sinqerta familjes së 20-vjeçarit, shokëve të skuadrës dhe stafit të klubit.
“Dominic ishte një talent i ri premtues, përkushtimi dhe pasioni i të cilit për lojën mishëronin frymën e kampionatit tonë,” thuhej në reagimin e federatës.

Sipas klubit Berekum Chelsea, autobusi i ekipit po kthehej nga një ndeshje e Premier League të Ganës të zhvilluar të dielën, kur u sulmua nga persona të maskuar të armatosur me armë zjarri dhe pushkë automatike.

Skuadra ishte në rrugë pas një ndeshjeje si mysafir ndaj Samartex në Samreboi, kur sulmuesit ngritën një pritë duke bllokuar rrugën për të penguar kalimin e autobusit.
“Personat e armatosur nisën të qëllonin drejt autobusit tonë ndërsa shoferi tentoi të kthehej pas. Lojtarët dhe stafi u detyruan të largoheshin dhe të strehoheshin në shkurret pranë rrugës,” njoftoi klubi.

Autorët e sulmit ende nuk janë kapur, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë. Federata e Futbollit të Ganës u bëri thirrje autoriteteve që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të vënë drejtësinë në vend dhe theksoi se është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse dhe klubin.

Gjithashtu, federata njoftoi se do të rishikojë dhe forcojë masat e sigurisë për ekipet që udhëtojnë për ndeshje brenda vendit, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla tragjike në të ardhmen.

Dominic Frimpong ishte bashkuar me Berekum Chelsea në formë huazimi nga Aduana FC në muajin janar. Sulmuesi pritej të qëndronte me ekipin deri në fund të sezonit dhe kishte shënuar dy gola në 13 paraqitje.