Jurgen Gjasula dhe pengu që nuk u shua kurrë/ Myrtaj: Shkëlqeu me Frankfurt e Freiburg, por mori vetëm 2 ndeshje me Shqipërinë
Në studion e "Ora Sport" ishte i ftuar gazetari Isuf Myrtaj, i cili solli në vëmendje historinë e futbollistit Jürgen Gjasula dhe raportin e tij me Kombëtaren shqiptare.
Gjasula ndërtoi një karrierë të gjatë në Gjermani dhe Zvicër, duke luajtur për klube si Kaiserslautern, Eintracht Frankfurt dhe SC Freiburg.
Pavarësisht formës së mirë që kishte në atë periudhë, ai nuk mori ftesë nga Kombëtarja shqiptare në momentin më të rëndësishëm të karrierës.
“Në kulmin e formës së tij nuk u ftua në Kombëtare, dhe kjo mbetet pengu më i madh i karrierës së tij.”-shtoi ai.
Ftesa për të veshur fanellën kuqezi erdhi më vonë dhe për një periudhë të shkurtër, ku ai zhvilloi vetëm dy ndeshje. Një prani që nuk përfaqësonte nivelin që kishte treguar në kampionatet europiane.
Sipas analizës në studio, kjo situatë mund të ketë ndikuar indirekt edhe në rrugën e vëllait të tij, Klaus Gjasula, i cili gjithashtu iu bashkua Kombëtares me vonesë, por arriti të japë kontribut të rëndësishëm.
“Mbiemri Gjasula ka lënë gjurmë dhe ka shumë gjasa të mbetet gjatë në futbollin shqiptar.”-tha Myrtaj.
Si pjesë e një familjeje të njohur tiranase, emri Gjasula mbetet i lidhur me Kombëtaren shqiptare, duke lënë pas një histori me arritje, por edhe me një peng që lidhet me momentet kyçe të karrierës.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA SPORT" NË ORA NEWS:

