“Niveli është i barabartë"/ Çoçlli: Kampionati shqiptar pa diferenca, vendoset gjithçka në fushë
Në studion e "Ora Sport" ishte i ftuar menaxheri i futbollit Nikolin Çoçlli, i cili analizoi momentin aktual të kampionatit shqiptar dhe nivelin e konkurrencës mes skuadrave.
Sipas tij, kampionati po kalon një fazë vendimtare, ku gara mbetet e hapur si për vendet e para, ashtu edhe për mbijetesë. Diferencat në tabelë nuk po reflektojnë atë që shihet në fushë.
“Niveli teknik i skuadrave është shumë i barabartë. Diferenca është vetëm në pikë, jo në lojë.”- tha Çoçlli.
Ai solli si shembull përballjen mes KF Tirana dhe Egnatia, ku pavarësisht pozicioneve të kundërta në renditje, loja në fushë ishte e ekuilibruar dhe pa dallime të mëdha.
Në këtë kontekst, ky barazim i nivelit nuk shihet si problem, por si një element që rrit konkurrencën dhe e bën kampionatin më interesant.
“Për ne është mirë, sepse ka konkurrencë. Kur shkëputen skuadrat, bie vlera e kampionatit.”-shtoi ai.
Sipas analizës, ndryshimi kryesor në futbollin shqiptar lidhet me faktin se diferencat financiare mes klubeve janë më të stabilizuara. Kjo ka bërë që rezultati të vendoset më shumë nga cilësia e lojtarëve dhe puna e trajnerëve në fushë.
Në këtë situatë, çdo ndeshje mbetet e hapur dhe çdo pikë merr rëndësi, duke e kthyer kampionatin në një garë të fortë deri në fund.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA SPORT" NË ORA NEWS:

