“Luajnë me gjysmë marshi"/ Çelmeta: Egnatia-Tirana ishte ‘shfaqje’, jo ndeshje
Në studion e "Ora Sport" ishte i ftuar menaxheri i futbollit Roland Çelmeta, i cili analizoi ndeshjen mes Egnatia dhe KF Tirana.
Sipas tij, përballja nuk pati ritmin dhe intensitetin e një ndeshjeje të zakonshme, duke u dukur më shumë si një “shfaqje” në fushë.
“Ishte një ndeshje me ritëm mesatar, më shumë shfaqje sesa përballje reale.”-tha ai.
Ai vuri në dukje se Egnatia u paraqit pa energjinë e duhur, duke e lidhur këtë pjesërisht me lodhjen nga ndeshja e Kupës në mesjavë, por edhe me mënyrën si është ndërtuar kampionati.
Sipas analizës, formati aktual krijon hapësirë që skuadrat të mos japin maksimumin në çdo ndeshje, duke ulur intensitetin në disa përballje.
“Kjo formulë të jep luksin të luash me gjysmë marshi dhe ndeshja humbet ritmin.”-shtoi Çelmeta.
Në anën tjetër, sipas tij Tirana u shfaq më pragmatiste.
Bardheblutë shfrytëzuan momentet dhe gabimet e kundërshtarit, duke goditur në kundërsulm. Prania e Redon Xhixha dhe ndikimi i trajnerit Orges Shehi u panë si faktorë që bënë diferencën.
Egnatia reagoi vetëm në disa momente të veçuara, ndërsa Tirana bëri aq sa duhej për të marrë fitoren në një ndeshje ku ritmi dhe konkurrenca munguan.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA SPORT" NË ORA NEWS:

