KREMTOHET PASHKA KATOLIKE! Besimtarët mbushën kishat. Dodaj: Rilindje për familjen e shoqërinë

“Krishti u ringjall. Mos kini frikë! U ringjall siç kishte thënë.”

Për të dëshmuar këtë pohim, që qëndron në themel të besimeve të krishtera, katolikët në Shqipëri mbushën katedralet dhe kishat për të kremtuar Pashkën.

Besimtarë të të gjitha moshave u mblodhën në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku Mesha e Ringjalljes së Krishtit u drejtua nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj.

Mesazhi i urimit nuk u fokusua vetëm tek grigja e besimtarëve, por gjithashtu foli për nevojën e një rilindjeje shpirtërore të familjes dhe shoqërisë shqiptare.

Dodaj u ndal edhe tek konfliktet dhe luftërat që po stërmundojnë mbarë njerëzimin në këto kohë të errëta.

Gjatë kremtimit të Pashkës, disa besimtarë u përzgjodhën për t’u pagëzuar.

Mesazhi qendror i Pashkës është shpresa dhe triumfi i jetës mbi vdekjen.

Veza mbetet një nga simbolet kryesore të kësaj feste.