Gëzuar Pashkët! Mbahet Mesha e Pashkëve në Katedralen Katolike në Tiranë

Në Katedralen e "Shën Palit" në Tiranë, besimtarë të shumtë janë mbledhur për të marrë pjesë në Meshën e Vigjiljes së Pashkëve, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit liturgjik të krishterë.

Ceremonia e shenjtë po drejtohet nga Arqipeshkvi Metropolit, Imzot Arjan Dodaj, i cili udhëheq lutjet dhe ritualet tradicionale të kësaj nate të veçantë.

Mesha nis në orën 21:45 dhe zgjat deri në orën 01:30 të mëngjesit të nesërm.

Mesha e Vigjiljes së Pashkëve simbolizon kalimin nga errësira në dritë, duke përkujtuar ringjalljen e Krishtit dhe duke sjellë mesazhe shprese, besimi dhe paqeje për të gjithë besimtarët.

Gjatë ceremonisë, ndizet qiriu i Pashkëve dhe zhvillohen leximet biblike që kujtojnë historinë e shpëtimit, ndërsa besimtarët bashkohen në lutje dhe këngë liturgjike.

Atmosfera festive dhe shpirtërore në katedrale shoqërohet me urimet tradicionale për paqe, dashuri dhe mirësi në familjet shqiptare.

E SHTUNA E MADHE

Për besimtarët katolikë sot është e Shtuna e Madhe, dita e tretë e Treditëshit e Nata e Shenjtë e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit.

Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Jezu Krishtit. 

Vetëm pas Vigjiljes kremtore – pas kësaj nate të pagjumë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve, fillon gëzimi i Ngjalljes së Krishtit, fillon koha e Pashkëve e cila zgjat për 50 ditë, deri në festën e Rrëshajëve – Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot.

SIMBOLET

Nata e Pashkëve është plot me Simbole. 

Kemi bekimin e dy elementeve të rëndësishme kozmike: zjarri i ri dhe uji.

Qiriu i bardhë ndizet nga zjarri i ri që bekohet në fillim të liturgjisë hyjnore të kësaj Nate të Pashkëve.

Qiriu simbolizon fitoren e Dritës së Krishtit të Ngjallur mbi errësirën e vdekjes.

Kremtimi i Natës së Pashkëve vijon me liturgjinë e Fjalës së Hyjit. Dymbëdhjetë lexime bible nga Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re

Pastaj, festa e madhe në tryezën e lulëzuar për të komunikuar me Qengjin e Pashkëve, me Krishtin e vdekur e të Ngjallur që shkëlqen mbi errësirat e mbi vetmitë shkatërrimtare.