“Udha e Kryqit” kremtohet në Lezhë, dhjetëra besimtarë i bashkohen ritualit fetar

Në qytetin e Lezhës, besimtarë të shumtë katolikë përjetuan ritin e “Udhës së Kryqit”. Dhjetëra qytetarë iu bashkuan kësaj ecjeje simbolike, duke nisur nga sheshi “Gjergj Kastrioti” dhe duke u ngjitur drejt kalasë së qytetit, në një rrugëtim që përkujton vuajtjet dhe sakrificën e Jezu Krishtit.

Ceremonia u drejtua nga përfaqësues të klerit katolik, ndërsa pjesëmarrësit u ndalën në 14 stacione të ndryshme për lutje dhe reflektim, duke rikujtuar momentet më të dhimbshme të rrugës së Krishtit drejt kryqëzimit.

Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Otavio Vitale, theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj dite, duke nënvizuar se ajo përçon një mesazh të fuqishëm paqeje dhe dashurie për njëri-tjetrin. Sipas tij, kjo është një ditë reflektimi të thellë, ku besimtarët ftohen të heshtin shpirtërisht dhe të meditojnë mbi sakrificën e Krishtit.

Ai shtoi se vdekja e Jezusit nuk përfaqëson fundin, por një fillim të ri, një shpresë që kulmon me ringjalljen në ditën e Pashkëve. Për Kishën Katolike, kjo periudhë mbetet një kohë e shenjtë për t’u përgatitur shpirtërisht dhe për të përqafuar mesazhin e besimit, sakrificës dhe shpresës.