BEKIMI I BUKËS PËR PASHKË! Nga bekimi i ushqimeve te mesazhet për të ardhmen! Besimtarët katolikë urojnë njëri-tjetrin me mesazhe shprese

Besimtarët katolikë i janë drejtuar kishave me shportat e ushqimeve tradicionale për t’i bekuar, si pjesë e ritualit të Pashkës. Me vezët e kuqe dhe bukën e Pashkës, ata u lutën për mbarësi dhe mirësi në familjet e tyre. Ndërkohë, Arqipeshkvi Imzot Arjan Dodaj në mesazhin e tij përcolli një urim për më shumë shpresë, duke i bërë thirrje shoqërisë të mos dorëzohen përballë vështirësive, por të punojnë për një të ardhme më të mirë.

Në orët e para të mëngjesit, kishat katolike në vend u mbushën me besimtarë që mbanin në duar shportat me ushqime tradicionale.

Mes aromës së bukës së sapo-pjekur dhe ngjyrës simbolike të vezëve të kuqe, nisi një nga ritualet më domethënëse të Pashkës, bekimi i ushqimit, një akt që përçon besim, falënderim dhe shpresë.

Vezët e kuqe, simbol i jetës dhe ringjalljes, buka e Pashkës, vera dhe ushqimet e tjera tradicionale u vendosën për t’u bekuar, ndërsa besimtarët u lutën për mbarësi në familjet e tyre.

Kjo festë, më e shenjta për të krishterët, rikthen mesazhin e ringjalljes së Jezu Krishtit dhe triumfit të jetës mbi vdekjen.

BEKIMI I BUKËS PËR PASHKË! Nga bekimi i ushqimeve te mesazhet

Në mesazhin e tij, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Dodaj, theksoi rëndësinë e shpresës në një kohë sfidash, duke i bërë thirrje shoqërisë shqiptare të mos dorëzohet, por të qëndrojë dhe të ndërtojë të ardhmen e vendit.

Në këtë ditë të shenjtë, mes besimit, traditës dhe shpresës, Pashka rikujton se edhe pas errësirës më të madhe, drita gjithmonë gjen rrugën për të lindur.