42 amerikanë betohen si vullnetarë të rinj të Korpusit të Paqes në Shqipëri

Të premten, 42 amerikanë kanë bërë betimin për t’u angazhuar si vullnetarë të Korpusit të Paqes në Shqipëri për dy vjet.

Sipas njoftimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e pranishme në këtë ceremoni ishte edhe e Ngarkuara me Punë e ShBA-ve, Nancy VanHorn dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

“Ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë 250 vjet pavarësi, kujtojmë se historia jonë shpesh është formësuar nga qytetarë të zakonshëm që bëjnë një hap përpara për të shërbyer. Kjo është fryma që përfaqëson Korpusi i Paqes: Amerikën në më të mirën e saj, duke ndërtuar partneritete me rëndësi dhe miqësi që zgjasin”, tha E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn.

VanHorn tha se Amerika është një vend bujar dhe se populli i saj është punëtor, i përkushtuar ndaj shërbimit, krijues dhe i ngrohtë.

“Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë mishërimi i gjallë i këtyre cilësive. Dua të falënderoj Ministrinë e Arsimit dhe të gjithë partnerët tanë shqiptarë mësuesit, drejtuesit e shkollave, zyrtarët vendorë dhe shoqërinë civile, të gjithë ata që do të punojnë krah për krah me këta vullnetarë. Përkushtimi juaj e sjell në jetë misionin e Korpusit të Paqes në klasa dhe komunitete në të gjithë Shqipërinë”, vijoi ajo.

E Ngarkuara me Punë e ShBA-ve falënderoi edhe familjet pritëse shqiptare që i mirëpritën vullnetarët në shtëpitë e tyre gjatë trajnimit.

“Qëkur Shqipëria ftoi për herë të parë Korpusin e Paqes në vitin 1992, gati 1,000 amerikanë kanë jetuar dhe punuar në komunitete në mbarë vendin duke bashkëdhënë mësim të gjuhës angleze, duke mbështetur mirëqenien e të rinjve dhe duke forcuar organizatat vendase. Grupi i sotëm e çon përpara me krenari këtë trashëgimi”, tha VanHorn, ndërsa e konsideroi Shqipërinë vendin më të mirë në botë për të qenë një diplomat amerikan, por edhe një vullnetar.

42 amerikanë betohen si vullnetarë të rinj të Korpusit