FOTO+VIDEO/ Erion Veliaj "injoron" GJKKO-në, shkon te Administrativja me pranga dhe historinë e Nolit në duar për t’u përballur me Ols Dadon

Me pranga në duar, kryebashkiaku Erion Veliaj u shoqërua në Gjykatën Administrative mesditën e sotme ku vijon betejën hakmarrëse ndaj prokurorit të SPAK që i ka kopsitur dosjen Ols Dado.

Makina e burgjeve u pa të hynte në oborrin e gjykatës administrative rreth orës 12:45 minuta, ndërsa nga ajo i shoqëruar nga efektivë doli Erion Veliaj, i cili në duart e lidhura me pranga mbante dhe një libër për Fan Nolin të autorit dhe gazetarit, Ilir Ikonomi.

FOTO+VIDEO/ Erion Veliaj "injoron" GJKKO-në, shkon te

Gjykata Administrative do të shqyrtojë ditën e sotme kërkesën e bërë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj për shpalljen të pavlefshëm të emërimit prokuror të Ols Dados.

Kryebashkiaku i Tiranës ka paditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin e posaçëm Ols Dado duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, të firmosur nga presidenti i kohës, Bamir Topi. Sipas kërkesë-padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit sepse nuk kishte kryer shkollën e Magjistraturës.

Kujtojmë se Erion Veliaj mungoi sot në GJKKO ku po mbahet seanca e gjykimit në themel.

PJESË NGA DISKUTIMET NË SEANCËN E SOTME NË GJYKATËN ADMINISTRATIVE

FOTO+VIDEO/ Erion Veliaj "injoron" GJKKO-në, shkon te

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca: Një nga kriteret është të ketë mbaruar Shkollën e Magjisraturës që ai (Ols Dado) nuk e ka pasur. Ndërkohë për emërimet thuhet të ketë punuar tre vite si pedagog, të ketë eksperiencë si këshilltar ligjor, pranë Kuvendit apo Avokatit të Popullit, apo Ministrisë së Drejtesisë, apo si OPGJ dhe këto profesione nuk janë ushtruar nga Ols Dado. A është Ols Dado prokuror apo jo, këtë duam të dimë? KLP na thotë pas një ankimi se ne nuk jemi kompetente për një kërkesë që i kanë bërë mbrojtësit ligjorë. Pra këto thonë nuk jemi kompetente.

Gjyqtari Hazbi Balliu: Pra KLP ka dalë me një akt, a e keni kundërshtuar këtë akt?

Plarent Ndreca: Është akt absolutisht i pavlefshëm. Ne kërkojmë konstatimin e pavlefshmërisë.

Hazbi Balliu: Pse i jeni drejtuar më parë KLP-së?

Plarent Ndreca: KLP rregullon pasojat e një mandati. Mund ta konstatonte mendojmë ne. Por ata nuk e konstatuan. Kjo nuk na heq të drejtën për të bërë këtë kërkesë në Gjykatë. Ols Dado nuk bëhet prokuror i Shqipërisë vetëm kur të sillet prova që ai e ka merituar dhe plotësuar kriteret. A do ishte arrestuar kryetari i Bashkisë nëse ky akt do ishte administruar?! Veliaj a është arrestuar nga një prokuror, apo nga një qytetar që mban funksione publike?! Arrestimi i Veliajt ka sjellë pasoja në të gjithë Tiranën.

Erion Veliaj: Nuk jam këtu për mëshirë. Jam i vetmi njeri që jam në burg nga një kallëzues që nuk ekziston. Unë nuk di kë të kallëzoj. Ajo që kam frikë është se kjo është një kurth. I kam marrë bizneset prej veshi dhe i kam thënë ti do bësh këtë, shkollë, këtë çerdhe etj,. Me telefonin e shtetit më është kërkuar t’i jap Ols Dados leje për shtëpi tek “Rruga e Kavajës”. Më kanë thënë që Ols Dado është sekser se nuk vjen për lejen e vet, por edhe për leje të tjera. Nuk firmos më në Bashkinë e Tiranës, drejtorët kanë frikë. Në Bashkinë e Tiranës plehrat janë sheshit. Ditën kur jam arrestuar kam hapur një shkollë në Kashar, prej asaj dite nuk është hapur asnjë shkollë. Ne duam informacion, s’mund të vijë KLP-ja të na thotë nuk kemi informacion.

Përfaqësuesja e Presidentit: Është një vendimmarrje e vitit 2008 nga Bamir Topi. Nëse i referohemi ligjit, ky është një provë që nisi Prokuroria e Përgjithshme. Në vitin 2008 kemi një propozim nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më pas është bërë dekreti. Presidenti është hapi i fundit në këtë proces se emërimi i Dados ka kaluar në hallka të tjera. Nuk mbajnë dot një qëndrim lidhur me rrëzimin e padisë, por e le me çmim të gjykatës. Kriteret nuk i takojnë Presidentit dhe supozohet që kriteret të jenë parë nga KLP dhe PP. Presidenca ka pasur vetëm një shkrese përcjellëse.

Avokati i Ols Dados: Gjykata të mos e pranojë këtë padi. Këtë kemi kërkuar. Pala paditëse nuk ka ndonjë interes. Në ndjekjen penale ka dhe një prokuror tjetër dhe nuk ndikon tek ndjekja penale. Ne për Presidentin, pas kërkesës që është bërë, është vënë në dispozicion dekreti i vitit 2008. Është procesverbali i mbledhjes së KLP-së në vitin 2008 për propozimin e Ols Dados për Prokuror. Janë aktet e KLP në lidhje me këto kërkesa.

Gjykata palës paditëse (Erion Veliajt): Nëse nuk e sillni KLP-së si palë e paditur brenda 20 ditësh, çështja pushohet.

(Sqarim redaksional: Në këtë rast KLP ka ardhur si palë e tretë)

PËRPLASET VELIAJ - DADO

Përplaset e ashpra mes Veliajt dhe prokurorit të SPAK Ols Dado, vijën pasi ky i fundit firmosi urdhër-arrestin për të parin e Tiranës, vendim i ekzekutuar në shkurt të vitit të kaluar.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse. Ai mbahet në paraburgimin e Durrësit.

Njoftimi i Mbrojtjes së Veliajt:

Ditën e nesërme është konfirmuar prania personale e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku do të zhvillohet seanca e parë gjyqësore mbi kërkesëpadinë e tij për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 5936, datë 17.11.2008, për emërimin e z. Ols Dado në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë.

Padia ngre një çështje thelbësore për funksionimin e shtetit të së drejtës:

a mund të ushtrohet pushteti penal nga një subjekt që nuk i ka përmbushur kurrë kushtet ligjore për të qenë prokuror?

Sipas kërkesëpadisë, emërimi është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin nr. 8737/2001, pasi subjekti i emëruar nuk plotësonte as kriteret e përgjithshme dhe as ato të posaçme të përcaktuara nga ligji për ushtrimin e funksionit të prokurorit. Për rrjedhojë, akti konsiderohet nul ab initio (që nga fillimi), pra juridikisht i paekzistent dhe i paaftë për të prodhuar pasoja të vlefshme.

FOTO+VIDEO/ Erion Veliaj "injoron" GJKKO-në, shkon te

Në një rast të fundit në Shtetet e Bashkuara, një gjykatë federale konstatoi se prokurorja Lindsey Halligan, e emëruar në kundërshtim me ligjin, nuk kishte autoritet për të ushtruar funksionet e prokurorit, duke çuar në rrëzimin e aktakuzës së ngritur prej saj dhe më pas edhe në largimin e saj nga detyra.

Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me një emërim individual. Ajo prek një parim themelor: ligjshmërinë e burimit të pushtetit publik.

Nëse një funksion kaq i rëndësishëm si ai i prokurorit mund të ushtrohet jashtë kritereve ligjore, atëherë vihet në kërcënim të drejtpërdrejtë vetë shteti i së drejtës dhe garantimi i të drejtave themelore të qytetarëve.

Padia argumenton se të gjitha veprimet e ndërmarra nga një subjekt i emëruar në kundërshtim me ligjin janë të ekspozuara ndaj pavlefshmërisë, përfshirë edhe ato që kanë prodhuar pasoja të drejtpërdrejta mbi lirinë personale dhe funksionimin e institucioneve publike, në këtë rast edhe të Bashkisë së Tiranës.

Në këtë kuadër, gjykata është thirrur të shprehet mbi një çështje që tejkalon natyrën individuale dhe lidhet drejtpërdrejt me standardet kushtetuese të ushtrimit të pushtetit të akuzës në Republikën e Shqipërisë.

FOTO+VIDEO/ Erion Veliaj "injoron" GJKKO-në, shkon te

Ky proces përbën një moment të rëndësishëm për të përcaktuar nëse ligji është i barabartë për të gjithë, përfshirë edhe prokurorët, dhe nëse ai është një kriter real për ushtrimin e funksioneve publike, apo një formalitet që mund të anashkalohet në mënyrë selektive.