Lamallari-opozitës: Pse postimet e Ambasadës nuk i shihni kur flitet për protesta me molotovë? Anti-terrori ka siguruar të dhëna se…

Ministri Besfort Lamallari i është përgjigjur opozitës e cila ka kërkuar që në Kuvend të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama në lidhje me një sulm të mundshëm nga Irani, pas postimit të djeshëm nga Ambasada Amerikane.

Ai u shpreh se është komunikuar me Ambasadën dhe postimi ka qenë në vazhdën e një sërë postimesh në shumë vende dhe nuk ka asnjë informacion konkret se vendi ynë mund të jetë shënjestër e sulmeve nga Teherani.

“Jo më larg se dje i kërkova strukturave të sigurisë publike dhe Anti-Terrorit të jenë në komunikim me Ambasadën dhe është konfirmuar se nuk ka asnjë informacion qoftë edhe inteligjencë në lidhje me një sulm të mundshëm. Postimi ka qenë në vazhdën e postimeve në të gjithë botën. Policia prej disa kohësh ka marrë masa shtesë.

Shqipëria mbetet vend i sigurt përtej postimeve që për fat të keq ju i lexoni vetëm kur janë për Iranin jo kur janë për protesta me molotovë”, tha ai.