Alarmi nga SHBA, Bardhi: Siguria kombëtare nuk është çështje kafenesh apo Twitter-i

 Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka ngritur shqetësimin në Kuvend lidhur me çështjet e sigurisë kombëtare pas alarmit të dhënë nga Ambasada Amerikane në vend për sulme nga Irani.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Bardhi kërkoi praninë urgjente të kryeministrit në Kuvend për të dhënë shpjegime.

Bardhi kritikoi qëndrimin e qeverisë ndaj njoftimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar reagimin si të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm për besimin mes partnerëve strategjikë.

Ai theksoi se opozita nuk ka informacion mbi çështjen, por paralajmëroi se minimizimi i sinjaleve nga SHBA dëmton seriozisht sigurinë dhe imazhin e vendit.

"Çështja e sigurisë kombëtare nuk është çështje kafenesh, sepse thatë duhet t’i bëjmë jo në publik jo në seancë plenare. A Twitter-i nuk janë janë çështje të qeverisë.

Për të mos ngjallur shqetësim te shqiptarët them se ne si deputetë nuk kishim asnjë informacion mbi deklaratën e Ambasadës. Një qeveri që për vite të tëra nuk pa 98% të territoreve të lira të mbjella me kanabis nuk mund të jetë e besueshme.

Ta quash deklaratën e Ambasadës si hamendësim na bën qesharakë dhe tregon që nuk kemi bashkëpunim me partnerin tonë strategjik dhe se anëatrët e NATO nuk kanë besim mes njëri-tjetrit.

Reagimi i ardhur dje nga Kryeministria është që shqiptarët nuk duhet t’i besojmë SHBA, është tentativë për të diskretituar Shtetet e Bashkuara, ndaj në mbështetje të Rregullores kërkojmë që Rama të jetë këtu e të na përgjigjet," tha Bardhi.