U dënuan për korrupsion në zgjedhje, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e eurodeputetit Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit

Gjykata e Lartë me një vendim të marrë së fundmi ka rrëzuar rekursin e eurodeputetit Fredi Beleri dhe bashkëpunëtorit të tij, Pandeli Kokaveshi, të cilët nuk u pajtuan me dënimin e dhënë nga Apeli i GJKKO-së që i shpalli fajtorë për korrupsion në zgjedhje.

Konkretisht, Beleri u dënua me 2 vite burg, ndërsa Kokaveshi 3 vite shërbim prove.

Ata iu drejtuan Shkallës së Tretë të gjyqësorit për të kërkuar pafajësi, pasi pretendonin se nuk kishin kryer vepër penale. Por tashmë me këtë vendim Gjykatës së Lartë legjitimohen dy vendimet e dhëna pranë GJKKO-së.

Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive.

Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota.

Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.

Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të cilën arriti të fitojë zgjedhjet, por nuk arriti të gëzojë mandatin e kryebashkiakut.

Dosja u transferua prej Prokurorisë së Vlorës në atë të Posaçme, SPAK, që kërkoi deklarimin fajtor të Belerit për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe dënimin e tyre.