Projektligji për armët, Vengu: Bashkëpunim me SPAK dhe BKH për kontrollin e eksporteve të armëve! Kontroll i unifikuar, gjurmueshmëri dhe licencim elektronik
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu prezantoi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme projektligjin “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”.
Gjatë diskutimeve, në përgjigje të pyetjes së deputetit të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, ministri u ndal te shqetësimet që lidhen me ndjeshmërinë e kësaj fushe, veçanërisht rrezikun e keqpërdorimit ose mosrespektimit të procedurave ligjore, çka mund të krijojë hapësira për importe ilegale apo të pakontrolluara, duke dëmtuar sistemin e gjurmueshmërisë dhe duke sjellë probleme edhe në rastet e eksporteve.
Deputeti Haxhinasto ngriti gjithashtu shqetësimin se armët e eksportuara mund të përfundojnë në zona konflikti ose në destinacione ku nuk duhet të shkojnë, duke theksuar përfshirjen e disa institucioneve në këtë proces, përfshirë doganat, dhe duke kërkuar garanci për funksionimin real të ligjit në praktikë.
Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, ministri Vengu theksoi se janë ndërmarrë masa konkrete për forcimin e mekanizmave ligjzbatues përmes bashkëpunimit me doganat dhe Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKShE).
Ai bëri të ditur se këto institucione kanë ngritur një program të përbashkët trajnimesh dhe stërvitjesh vjetore.
Sipas ministrit, një risi e zbatuar që nga fundi i vitit të kaluar është ndërveprimi mes sistemit të licensimit dhe atij doganor, i cili mundëson verifikime të menjëhershme mbi autorizimet ose mosautorizimet për mallra të caktuara.
Kjo, shtoi ai, ka rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin e autoriteteve ligjzbatuese për detyrimet e tyre në pikat kufitare.
Një tjetër element i rëndësishëm i projektligjit, sipas Vengut, është roli i AKShE-së, e cila funksionon de facto edhe si agjenci ligjzbatuese dhe bashkëpunon ngushtë me Policinë e Shtetit, SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), në raste me ndjeshmëri të veçantë.
Ministri theksoi se ndërveprimi sa më i madh online mes institucioneve është thelbësor për garantimin e kontrollit dhe transparencës.
Për këtë qëllim, u shpreh ai, projektligji parashikon një sistem të licencimit të enkriptuar, i cili mundëson gjurmueshmëri administrative në çdo hap të procesit.
Sipas tij, këto masa pritet të rrisin ndjeshëm përgjegjshmërinë dhe ndërgjegjësimin e çdo operatori ligjzbatues në pikat kufitare dhe doganore.
Kontroll i unifikuar, gjurmueshmëri dhe licencim elektronik
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, prezantoi sot në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme projektligjin “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”.
Vengu u shpreh se ky projektligj vjen si përgjigje ndaj një nevoje reale për të modernizuar dhe konsoliduar kontrollin shtetëror mbi transferimet ndërkombëtare të armëve të zjarrit, në një kontekst rajonal dhe ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.
Ministri theksoi se dy janë detyrimet dhe angazhimet kryesore të shtetit shqiptar që kanë çuar drejt hartimit të një projektligji tërësisht të ri.
“E para, ne vijmë me një paketë ligjore. Ky është vetëm projektligji i parë. Paketa parashikon gjithashtu një reformë të ligjit nr. 46/2018 për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe atyre me përdorim të dyfishtë, e cila është aktualisht në shqyrtim, si dhe një projektligj tjetër për rregullimin specifik të armëve në territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha Vengu.
Sipas ministrit, projektligji synon krijimin e një sistemi të fortë, transparent dhe të unifikuar të kontrollit shtetëror për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit dhe trafikimit të paligjshëm.
“Një element thelbësor është edhe gjurmueshmëria, duke garantuar kontroll të plotë të gjithë zinxhirit të furnizimit, nga dërgesa deri në mbërritje dhe deri te përdoruesi fundor”, tha ai.
Vengu theksoi se projektligji përfaqëson një transpozim të plotë dhe një përafrim total me legjislacionin evropian, çka e bën atë të rëndësishëm edhe për piketat e ndërmjetme të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Sa i përket risive, ministri u shpreh se, “projekti parashikon lloje të reja autorizimesh përmes një procedure online të gjurmueshmërisë, përforcim të rregullave të markimit për të gjithë komponentët e armëve të zjarrit dhe municionet, si dhe krijimin e një sistemi elektronik të sigurt dhe të enkriptuar të licencimit”.
Projektligji gjithashtu qartëson përfundimisht kompetencat midis institucioneve të përfshira në këtë fushë, përfshirë doganat, ministritë përkatëse, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Ministri shtoi se, rol kryesor në zbatimin e ligjit do të ketë AKSHE – Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, një institucion me mbi 17 vite ekspertizë, i cili është kthyer në njësinë qendrore ligjzbatuese, rregullatore dhe gjurmuese për mallrat ushtarake, mallrat me përdorim të dyfishtë dhe teknologjitë përkatëse.
Ministri sqaroi se kompetencat e Policisë së Shtetit mbeten të pandryshuara, veçanërisht në aspektin e kontrollit të rendit publik, regjistrimit, mbajtjes dhe përdorimit të armëve brenda vendit.
Në përfundim, Vengu theksoi se projektligji nuk ka impakt financiar në buxhetin e shtetit, përkundrazi, përmes sistemit të licencimit synohet edhe gjenerimi i të ardhurave.


