EMRAT/ Vr*sja e Petrit Ndout në Mamurras, gjykata cakton “arrest në burg” për tre të dyshuarit
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për tre të dyshuarit në lidhje me vrasjen e Petrit Ndout, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në aksin rrugor Mamurras–Fushë Krujë.
Në burg janë vendosur shtetasit: Andis Vokrri, Fatjon Kulla dhe Lorenc Sula.
Mësohet se gjatë seancës, të tre kanë mohuar përfshirjen e tyre në ngjarje, ndërsa dyshimet kryesore bien mbi 27-vjeçarin Andis Vokrri, i cili ka pranuar se ka pasur një konflikt fizik dhe verbal me Ndoun, por ka mohuar të ketë përdorur çekic ndaj tij dhe pretendon se nuk ka pasur një të tillë me vete.
Prokuroria ka kërkuar vendosjen e arrestit në burg deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe analizimin e pamjeve filmike që lidhen me ngjarjen.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pak ditë më parë në aksin rrugor Mamurras–Fushë Krujë, pranë mbikalimit të fshatit Bushnesh, ku sipas raportimeve 28-vjeçari Andri Vokri, pas një sherri të çastit ka goditur për vdekje 60 vjeçarin Petrit Ndou.
Dyshohet se fillimisht mes tyre ka pasur një konflikt verbal me sharje dhe fyerje dhe më pas Vokri e ka goditur disa herë me çekiç në kokë dhe trup viktimën.
Ndërkohë, sipas raportimeve të pranishëm kanë qënë edhe Lorenc Goga dhe Fatjon Kulla, të cilët akuzhohen për mos kallëzim krimi. Të dy ata kanë deklaruar se u larguan nga vendi i ngjarjes nga frika dhe prandaj nuk e njoftuan policinë.

