NDRYSHOJNË RREGULLAT PËR NDOTJEN/ Pr.ligj i ri për mënyrën e monitorimit dhe raportimit të ndotjes
Qeveria ka përgatitur një projektvendim që ndryshon rrënjësisht mënyrën e monitorimit dhe raportimit të ndotjes në Shqipëri. Sistemi i ri MRVA synon harmonizimin me Bashkimin Evropian, por sjell edhe kosto shtesë për bizneset e përfshira.
Shqipëria po përgatitet për një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si mat, kontrollon dhe raporton ndotjen që shkaktojnë industritë, aviacioni civil dhe tregtuesit e karburanteve.
Qeveria ka hartuar një projektvendim të ri që synon përafrimin e plotë të vendit me rregullat e Bashkimit Evropian për monitorimin, raportimin, verifikimin dhe akreditimin e shkarkimeve të gazeve me efekt serrëPër herë të parë në Shqipëri, raportet e ndotjes që përgatisin, impiantet industriale dhe prodhuese, kompanitë e aviacionit civil dhe tregtuesit e karburanteve për sektorë të caktuar, do të verifikohen nga subjekte të pavarura dhe të akredituara, sipas standardeve të BE, ndërsa këto raporte do t’i nënshtrohen një procesi profesional verifikimi.
Ky hap vjen pas kërkesave të përsëritura të Komisionit Evropian në raportet e progresit për vitet 2024 dhe 2025, ku theksohet se Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht sistemin MRVA deri në dhjetor 2025 për t’u harmonizuar me sistemin evropian të tregtimit të ndotjes. Pa këtë sistem, vendosja e çmimit të karbonit dhe integrimi në tregun evropian të emetimeve mbeten të pamundura
Ndryshimi nuk vjen pa kosto. Bizneset do të përballen me shpenzime shtesë për kontraktimin e verifikuesve të akredituar dhe për përshtatjen me procedurat e reja teknike.
Ybatimi i procedurave MRVA sjell kosto shtesë për pagesat e verifikuesve dhe për trajnimin e personelit teknik. Punësimi ose trajnimi i një punonjësi teknik për monitorim vlerësohet 1.3-1.5 mln lekë në vit, ndërsa verifikimi nga një subjekt i akredituar do të kushtojë nga 1-3 mln lekë në vit, në varësi të kompleksitetit
Në planin ekonomik, miratimi i këtij projektvendimi hap rrugën për përfitimin e rreth 600 milionë lekëve financim nga BE në kuadër të Facilitetit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor
