Mbi 100 persona të vdekur në Egjipt
Më shumë se 100 persona humbën jetën në protestën e organizuar nga përkrahësit e ish- Presidentit egjiptian të rrëzuar, Mohamed Mursi në Kajro.Disa mjekë thanë për agjencinë e lajmeve ndërkombëtare BBC-në, se gjatë protestave pranë xhamisë, Rabaa Al Adauija, mbeten të plagosur mbi 1000 persona. Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë raportohet se vetëm 38 persona janë vrarë dhe 180 janë plagosur. Mediat thonë se përleshjet pranë xhamisë kishin të bënin me një përpjekje nga forcat e sigurisë egjiptiane për të pastruar kampin e dhjetëra mijëra protestuesve pro-Mursit. Ministri i Brendshëm egjiptian deklaroi se "protesta duhet te marrë fund, në një mënyrë ligjore". Sipas tij- prokurori do të lëshojë një urdhër, por kjo ende nuk ka ndodhur.Dy grupet rivale zhvilluan dy protesta në kryeqytetin e vendit, mijëra njerëz pushtuan Sheshin Tahrir të Premten në mbështetje të ushtrisë, që rrëzoi nga pushtetin Mursin.Ditë më parë, gjenerali Abdel Fatah Al Sisi, bëri thirrje për një protestë masive dhe i kërkoi popullit për t'i dhënë, mandatin e ndërhyrjes së tij. "Na jepni mandatin t'i bëjmë ballë ashtu siç duhet dhunës dhe terrorizmit, ishte deklarata e gjeneralit Abdel Fattah al Sisi. Dhuna nisi pasi përkrahësit e Mursit u përpoqën të bllokojnë rrugën kryesore, gjatë natës dhe forcat e sigurisë u kundërpërgjigjen.Agjensia shtetërore e lajmeve MENA- citoi se zyrtarë të sigurisë që thanë se nuk janë përdorur plumba të vërtetë, por vetëm gaz lotësjellës. Zyrtarë egjiptianë thanë se forcat e sigurisë u përpoqën të ndalonin përleshjet mes dy grupeve kundërshtare dhe tetë policë mbetën të plagosur. Por sipas zëdhënësit të "Vllazërisë Myslimane" Gehad El Hadad "ata qëlluan për të vrarë".Akuzat një ditë më parë kundër Morsit kanë tensionuar dhe më shumë situatën. Një gjykatë në Kajro urdhëroi vazhdimin e ndalimit të presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi nën akuzat se ka komplotuar me grupin militant palestinez Hamas. Morsi është ndaluar për 15 ditë për hetime lidhur me këto akuza. Udhëheqësi islamik është mbajtur pa asnjë akuzë në paraburim që nga 3 korriku, kur u morr nga ushtria egjiptiane.Hetuesit po përcaktojnë nëse Morsi ka punuar me Hamasin për ta ndihmuar atë dhe dhjetra udhëheqës të tjerë islamik të arratiseshin nga burgu gjatë kryengritjes së vitit 2011 që rrëzoi nga pushteti presidentin Hosni Mubarak.