Ambasadori Shkurov falënderon Spiropalin: Mbështetja e fortë e Shqipërisë, sinjal i fuqishëm uniteti kundër agresionit rus

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov falënderoi ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali për dënimin e sulmit të Rusisë me një rakete balistike me rreze të mesme kundër rajonit të Lvivit në Ukrainë.

Shkurov u shpreh se, mbështetja e fortë e Shqipërisë është një sinjal i fuqishëm uniteti kundër agresionit rus.

“Falënderoj sinqerisht Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë për këtë qëndrim të qartë dhe parimor. Mbështetja e fortë e Shqipërisë është një sinjal i fuqishëm uniteti kundër agresionit rus dhe angazhimit tonë të përbashkët ndaj sigurisë evropiane dhe transatlantike”, u shpreh Shkurov në një reagim.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi sot pas sulmit të fundit të Rusisë me raketë balistike me rreze të mesme mbi rajonin e Lvivit në Ukrainë, pranë kufirit me Poloninë.

Spiropali shkroi në rrjetin social X se, një sulm kaq pranë kufijve të BE dhe NATO-s përbën përshkallëzim serioz dhe kërcënon sigurinë evropiane dhe transatlantike.

Spiropali bëri thirrje për masa të forta ndërkombëtare dhe presion më të madh ndaj Moskës, teksa shtoi se, “Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetje të Ukrainës”.

Rusia ka përdorur raketën e saj me rreze të mesme veprimi dhe me kapacitet bërthamor ”Oreshnik” në një sulm ndaj Ukrainës, raportoi sot agjencia e lajmeve TASS, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Ky është sulmi i dytë ndaj Ukrainës ku përfshihet kjo armë.