NGRICA ALARMANTE NË GRAMSH/ Bllokohet fuoristrada me tre persona brenda nën 60cm dëborë
Një automjet tip foristradë, me tre persona brenda, ka mbetur i bllokuar mes dëborës në aksin rrugor Kukur–Rovje, në zonën malore të Gramshit.
Si pasojë e reshjeve intensive të borës, trashësia e saj në këtë segment rrugor ka arritur mbi 60 centimetra, duke e bërë rrugën tërësisht të pakalueshme.
Personat e bllokuar janë banorë të zonës, të cilët po ktheheshin nga puna e përditshme në fshatin Kukur drejt banesave të tyre në fshatin Rovje.
Reshjet e dendura të borës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe vijojnë ende me intensitet të lartë.
Sipas burimeve nga zona, prej më shumë se dy orësh ka humbur çdo kontakt me personat e bllokuar, të cilët kanë apeluar për ndihmë.
Të shqetësuar për gjendjen e tyre, disa banorë të fshatit janë nisur në këmbë për t’i gjetur dhe për t’u ardhur në ndihmë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.
Situata paraqitet kritike edhe për shkak të mungesës së energjisë elektrike që nga orët e mëngjesit, ndërsa rrugët mbeten të bllokuara nga bora.
Kërkohet ndërhyrje urgjente e strukturave përkatëse për hapjen e rrugës dhe shpëtimin e personave të bllokuar.
