SHQIPËRIA NËN UJË/ Berisha: Të shpallet urgjent gjendja e fatkeqësisë natyrore, Rama po bën sehir si një cinik

Kryedemokrati Sali Berisha kërkoi që të shpallet urgjent gjendja e fatkeqësisë natyrore, duke shtuar se kryeministri Edi Rama po bën sehir si një cinik në këto orë të vështira të krijuar nga përmbytjet.

DEKLARATA E BERISHËS

Mijëra e mijëra familje shqiptare kanë pësuar pasoja shumë të rënda nga përmbytjet.

Vetëm në rrethin e Durrësit përllogariten rreth 4 mijë banesa, biznese dhe objekte të tjera. Dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha.

Por nuk është vetëm rrethi i Durrësit me përmbytje, nga Gjirokastra gjer në Shkodër janë pra mijëra e mijëra familje të tjera, biznese, fabrika, të cilat kanë pësuar dëme të parikuperueshme.

Partia Demokratike kërkon menjëherë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në këtë zonë.

Edi Rama apo Ramaduro që bën sehir, nuk shpallen gjendjen e fatkeqësisë natyrore në Durrës dhe në Lezhë, apo Shkodër dhe qarqet e tjera, vetëm e vetëm se ligji e detyron atë në këtë gjendje t’u përgjigjet një për një dëmet të krijuara nga fatkeqësia natyrore. Ky qëndrim indiferent, cinik është një lloj krimi në vetvete.

Në 4 muaj, do deklaronte sot një qytetar i Durrësit, jam përmbytur katër herë. Kësaj katastrofe natyrore, me përmasa të papara ndonjëherë, Edi Rama ndaj saj reagon me një cinizëm ekstrem, me një paturpësi, me një tallje ndaj qytetarëve të përmbytur.

Ai në postimin e tij fajëson opozitën e cila nuk po e akuzon atë për shirat e rrëmbyera që kanë rënë. Ky qëndrim cinik, tallës ndaj qytetarëve, turpëron çdo njeri që ka cipë.

Por Ramaduro është në panik dhe tmerr të madh dhe nuk di se ç’flet. Pa diskutim që këto kanë qenë shira shumë intensive, por Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë. Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve.

Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romano dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim.

Por korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos, kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra. E kuptoni se kur fillon të funksionojë ai? Mbi 70 centimetra.

Pra le të përmbyten njëherë 70 centimetra, pastaj të fillojë të evakuojë ujërat. Kurse hidrovori i Hamallajt prej 8 muajsh i ka pompat jashtë funksionit.

Përveç kësaj, Durrësi, territori i përmbytur, ka një sistem kanalizimesh shumë të studiuar dhe mirëprojektuar.

Kanalet janë që të gjitha të zëna sepse paratë e caktuara për pastrimin e tyre janë vjedhur dhe vetëm vjedhur nga mafia qeveritare e Durrësit dhe Tiranës.

Ajo dramë që shohim ne sot, ajo vërtet ka si shkak natyror dhe ndaj unë kërkoj shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por këto përmasa nuk i merrte kurrë në qoftë se do ishin në gatishmëri dhe funksion hidrovoret, të cilët janë të përllogaritur për të mbrojtur zonat nga përmbytjet dhe në qoftë se do funksiononte sistemi i tyre i kanalizimeve.

Nga Vora gjer në bregdet shtrihet sistemi i kanalizimit që synon të mbrojë ato territore nga përmbytja. Por kanalet janë fiktive, janë të bllokuara, janë të askujt pasi narkoshteti është shteti i mafies dhe ka vetëm interesat e mafies.

Natyrisht kur përdor tenderat për të vjedhur 90 deri në 98 përqind të investimit, siç ndodh me Lubi Ballukun dhe Edi Ramën në tenderat e infrastrukturës, kur ndërton rrugë të florinjta që shemben tre muaj pas inaugurimit nga 73 milionë euro në 360 milionë, si rruga Qukës-Qafë Plloçë e cila edhe sot është shembur, dhe do shembet vazhdimisht sepse skarpatet janë lënë natyrore, pa asnjë lloj përforcimi.

Unë duhet t’u them qytetarëve se përforcimi i skarpatës është kushti i të gjitha kushteve në ndërtimin e rrugëve.

Skarpata më e rrezikshme në Shqipëri është skarpata Kardhiq-Tepelenë, por kompania që e ka ndërtuar dhe supervizori kanë punuar ndoshta edhe dy vite vetëm me skarpatën, e cila është gjeologjikisht më e dëmtueshmja.

Por nuk ka lëvizur një gurë sepse skarpatat janë pjesë kryesore e rrugës. Kurse këta kanë shtruar asfaltin dhe i kanë lënë siç i kanë hapur dhe tani derdhen mbi rrugë. Pra, gjendja është jashtëzakonisht e rëndë. Java përsëri nuk premton qetësim të motit.

Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha rrethet e përmbytura, nga Shkodra gjer në Gjirokastër, është domosdoshmëri. Natyrisht nuk e bën këtë se ai buxhetin e konsideron si pronë të tij dhe familjes së tij.