TAKIMI I 9 JANARIT/ "Diskutime me forcat opozitare dhe protestë" - Ç’pritet të ndodhë në "tryezën" e Berishës
Janë zbuluar detaje nga mbledhja e ditës së premte ( 9 janar) që pritet të mbajë kryedemokrati, Sali Berisha, me forcat e tjera opozitare.
Burime për mediat bëjnë me dije se Partia Demokratike do të propozojë datën 24 Janar, si ditën për të mbajtur protestë në Bulevard kundër qeverisë dhe më pas do të jenë të gjithë përfaqësuesit që do të vendosin mbi këtë propozim, nëse do të qëndrojnë në këtë datë apo do të vendosin për një tjetër.
Në tryezën e 9 janarit të thirrur nga Berisha, janë njoftuar partitë opozitare, shoqëria civile dhe organizata të tjera, por mbetet për tu parë nëse do të ketë përfaqësues nga këto të fundit.
Një ditë më parë Arlind Qori i “Lëvizjes Bashkë” dhe Adriatik Lapaj nga “Shqipëria Bëhet”, lanë të kuptohej se nuk do të jenë pjesë e tryezës së Berishës.
