PËRTEJ TË DJATHTËS E TË MAJTËS! Sali Berisha i fton të gjithë në aleancën e opozitës
Sali Berisha fton të gjitha forcat opozitare në një takim të premten për të bashkërenduar aksionin kundër qeverisë së Edi Ramës, pa përjashtuar asnjë parti. Por opozita mbetet e përçarë, pasi ka qëndrime të ndryshme mes kërkesës për qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme dhe formës së protestave
Në përpjekje për të realizuar bashkimin opozitar, Sali Berisha do t’u dërgojë ftesë të gjitha partive politike opozitare për një takim të premten, me synimin e koordinimit të një aksioni të përbashkët kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Kryedemokrati nuk përjashton asnjë, duke përfshirë edhe Lëvizjen Bashkë, Shqipëria Bëhet dhe Partinë Mundësia.
Megjithatë, tentativa për bashkim përplaset me ndasi të thella brenda opozitës, sidomos mbi mënyrën se si duhet ndërtuar aksioni kundër qeverisë.
Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, deklaroi në rrjetet sociale se qeveria teknike është e papranueshme, duke theksuar se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme.
Ky qëndrim bie ndesh me vizionin e Berishës, për të cilin kushti kryesor për zgjedhje të lira dhe të ndershme mbetet ngritja e një qeverie teknike.
Edhe Adriatik Lapaj, drejtues i Shqipëria Bëhet, thekson se bashkimi i opozitës mund të ndodhë vetëm përmes protestave pa flamuj partiakë.
Berisha shprehet dakord në parim me këtë tezë, por nënvizon se, në kushtet kur qytetarët pa parti nuk dalin në protesta, barra bie mbi partitë politike për të marrë përgjegjësinë e mobilizimit.
Ndërkohë, Ora News u përpoq të kontaktonte Partinë Mundësia të Agron Shehaj për të mësuar nëse do ta pranojë ose jo ftesën e Berishës, por deri më tani nuk ka pasur asnjë qëndrim zyrtar.
