"Arrestimi i Maduros, akt historik"/ Berisha nga foltorja: Ai nuk meriton asnjë ditë të qëndrojë në pushtet
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ashpër pas nxjerrjes para gjyqit të presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, duke e cilësuar arrestimin e tij si një akt historik dhe një fitore për ligjin ndërkombëtar.
Në foltoren para Kryeministrisë, Berisha tha se viti 2026 i ngjan historikisht periudhës së rrëzimit të diktaturave komuniste, duke theksuar se sot forma më e përhapur e autoritarizmit janë “narko-diktaturat dhe autokracitë elektorale”.
“Sot, falë Zotit, ushtria amerikane dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara, në një nga operacionet më të përsosura në histori, arrestuan dhe nxorën para gjyqit Ramaduron e Venezuelës, apo Maduron e Venezuelës”, u shpreh Berisha.
Ai kritikoi ashpër mediat që i cilësoi si të majta dhe të kontrolluara nga qeveria në Shqipëri, duke thënë se ato po e paraqesin arrestimin e Maduros si shkelje të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas Berishës, dhunuesit më të mëdhenj të sovranitetit dhe të ligjit kombëtar e ndërkombëtar janë vetë diktatorët dhe regjimet autoritare.
“Rrëzimi i diktatorëve është respekti më i madh për ligjin ndërkombëtar, ligjin kombëtar dhe për qytetarët e vendeve të shtypura”, deklaroi ai.
Berisha theksoi se nuk mund të ketë sovranitet të vërtetë në një vend ku zgjedhjet shndërrohen në farsë elektorale, duke shtuar se një diktator apo narko-diktator që manipulon zgjedhjet shkatërron sovranitetin e kombit të tij.
“Ai nuk meriton asnjë ditë të qëndrojë në pushtet”, përfundoi Berisha.
