Përmbytje në Durrës, Jola Hysaj publikon pamjet/ Infrastruktura e amortizuar nxjerr në pah dështimin e qeverisë
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikin në PD, Jola Hysaj, ka publikuar pamjet që pasqyrojnë situatën problematike të krijuar në zonën e Shkallnurit, Durrës, pas reshjeve të shiut.
Siç shihet në video, sasi të mëdha uji dhe balte kanë mbuluar aksin rrugor, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve dhe duke rrezikuar sigurinë rrugore. Mjetet detyrohen të lëvizin me shpejtësi të ulët, ndërsa rruga rezulton e papërballueshme për kushte minimale atmosferike.
Kjo situatë evidenton edhe një herë dështimin e vazhdueshëm të pushtetit për të garantuar infrastrukturë funksionale dhe sisteme efikase të kanalizimeve, veçanërisht në zonat periferike. Pavarësisht taksave dhe premtimeve për investime, çdo episod reshjesh e kthen jetën e qytetarëve në emergjencë dhe rrugët në rrezik të përhershëm.
Pamjet nga zonat periferike të Durrësit janë një tjetër dëshmi e neglizhencës institucionale dhe e mungesës së përgjegjshmërisë në menaxhimin e infrastrukturës publike.
