VIDEO/ Xhixho: Qeveria punon për një grusht njerëzish dhe jo për qytetarët që mezi mbyllin muajin
Deputetja dhe njëherësh Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho akuzon qeverinë se punon për një grusht njerëzish dhe jo për qytetarët që mezi mbyllin muajin.
DEKLARATA E XHIXHOS
Çmimet e ushqimeve bazë vazhdojnë të rriten në mënyrë të papërballueshme, ndërsa pagat mbeten të pandryshuara. Sot, familjet shqiptare janë të detyruara të llogarisin çdo lek për bukën e përditshme, kurse pensionistëve, të lënë në harresë, u duhet të zgjedhin mes ushqimit, ilaçeve dhe ngrohjes.
Paradoksi më i madh është se ushqimet bazë në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në shumë vende të Europës, ndërkohë që pagat dhe pensionet janë ndër më të ulëtat.
Ndërkohë, qeveria jeton në luks: vetëm vera e kryeministrit kushton 33 mijë euro; “Kopshti Eden”, i ndërtuar në Kryeministri thjesht për estetikë kushtoi 4.2 milionë euro; pa përmendur udhëtimet charter të kryeministrit, që kapin shifra miliona euro.
Ndërsa qytetarët varfërohen, shteti mbledh gjithnjë e më shumë të ardhura nga rritja e çmimeve. Por këto para nuk u kthehen qytetarëve; ato shpërndahen te oligarkët.
Vetëm për Tunelin e Llogarasë u vodhën 75 milionë euro; “rrugët e florinjta” si Unaza e Madhe kushtuan mbi 450 milionë euro; inceneratorët që nuk punuan kurrë përpinë mbi 400 milionë euro.
Paratë ekzistojnë, por ato nuk shkojnë për mirëqenien e qytetarëve. Ato përdoren për të pasuruar këtë qeveri dhe klientët e saj. Kjo qeveri punon për një grusht njerëzish, jo për qytetarët që mezi mbyllin muajin.

