Arrestimi i Maduros, Berisha: Rama të japë dorëheqjen menjëherë. Koha e narko-diktatorëve po perëndon me shpejtësi
Kryedemokrati Sali Berisha nga foltorja e selisë blu deklaroi se Edi Rama të japë dorëheqjen, ndryshe do të ketë fatin e Nikolas Maduros.
DEKLARATA E BERISHES
Dhe njëherë, gëzuar Vitin e Ri ju, të gjithë gazetareve dhe gazetarëve, punonjësve të medieve, shtypit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Sot jam para jush për të denoncuar shkeljen e rëndë të Kushtetutës, ligjeve të vendit, rregullores së parlamentit nga Edi Rama në mbrojtje de facto të vetes, në aparencë të Belinda Ballukut.
Në qoftë se rregullorja e parlamentit parashikon se brenda dy javësh raporti i Këshillit të Mandateve paraqitet në parlament, unë u them sot se kanë kaluar 20 ditë nga data e dorëzimit në parlament të kërkesës së prokurorëve për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut për vepra të rënda penale, afera të cilat shkojnë me një dëm ndaj qytetarëve shqiptarë të barabartë me 1.2 miliardë euro.
Edi Rama sfidon në këtë mënyrë, në një grusht shteti, qytetarët shqiptarë, të cilët presin me të drejtë dhe padurim të shohin para ligjit qeveritarët hajdutë që janë bërë milionerë dhe miliarderë me taksat dhe pasuritë e tyre.
Edi Rama, në vend të dorëheqjes së tij të menjëhershëm, iu bëri të ditur shqiptarëve se ai është i gatshëm të përdorë 83 mandatet e krimit për të mbrojtur miliardat e vjedhura prej tij dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ai u bëri të qartë shqiptarëve se vjedhjet monstruoze të qindra e qindra milionë eurove nga Linda, nga baxhanaku i tij me ndihmën e Lindës kunatë dhe Lindës drejtoreshë e AKSHI-t, nuk janë asgjë, janë përdorim parash dhe jo grabitje e plaçkitje.
Dhe, për të parandaluar çdo mundësi që Mirlinda e AKSHI-t të bëhet e penduar e drejtësisë, i shprehu asaj konsideratën maksimale për mundësinë apo pasurimin e tij me qindra milionë euro të AKSHI-t përmes prestanomeve të baxhanakut të tij dhe Ergys Agasit, Ermal Beqirit me kompanitë e tyre si prestanome të Armand Frangut.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë. Koha e narko-diktatorëve po perëndon me shpejtësi.
Ajo që forcat Delta realizuan në një operacion të përsosur, të paparë ndonjëherë në histori, për mënyrën perfekte të realizimit kundër një narko-diktatori të urryer të popullit të Venezuelës, ka zgjuar popujt në të gjitha vendet e tjera që të ngrenë krye kundër diktatorëve të tyre.
Kam besim se shqiptarët, të cilët e kanë pritur siç keni parë ju, me interesin më të madh arrestimin në dhomën e tij të gjumit të narko-diktatorit të Venezuelës dhe paraqitjen e tij në sallën e gjyqit në Nju Jork, presin me padurim për t’u përballur me diktatorët e tyre dhe narko-diktatorin e tyre në rastin e tyre në Shqipëri, dhe për t’i dhënë atij ndëshkimin dhe vendin që meriton.
PD dhe opozita shqiptare është e vendosur të organizojë të gjitha demonstratat, protestat, revoltat në mënyrë që të çlirojë vendin nga ky narko-diktator, i parë dhe i vetëm në Europë.

