JETA E EGËR NË PARQET KOMBËTARE/ Pamje unike nga fauna shqiptare falë monitorimit modern të natyrës

Kamerat kurth të instaluara në parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura të vendit kanë sjellë pamje të rralla nga jeta e faunës së egër, duke dokumentuar kafshë në habitatin e tyre natyror, larg ndërhyrjes njerëzore. Imazhet dhe videot tregojnë një biodiversitet të pasur dhe të ruajtur.

Pamjet janë ndarë nga ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj, i cili thekson se falë kamerave kurth dhe punës së specialistëve, qytetarët kanë mundësi të shohin nga afër “banorët” e këtyre habitateve natyrore.

Nga monitorimi janë identifikuar specie të ndryshme si ujku, macja e egër, baldosa, dhelpra, sorkadhja, pata e egër, një tufë çakejsh, si dhe shpendë si kormorani i madh dhe lejleku.

Vendosja e kamerave kurth ka si qëllim jo vetëm vrojtimin shkencor të faunës, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për rëndësinë e ruajtjes së biodiversitetit.

Autoritetet theksojnë se llojet e faunës së egër jetojnë të qeta në këto zona falë edhe moratoriumit të gjuetisë, i cili ka krijuar kushte më të sigurta për jetën e egër në Shqipëri.