HISTORIA NË NJË FOTO/ Qeveria e Ismail Qemalit më 28 Nëntor 1913, dy muaj para se të shpërbëhej

Këshilli i Ministrave në Vlorë, në një foto ceremoniale të datës 28 Nëntor 1913, me rastin e njëvjetorit të pavarësisë. Në qendër është kryeministri Ismail Qemal Vlora.

Në foto janë shënuar po ashtu edhe emrat e ministrave në rreshtin e parë.

Fotoja është publikuar në rrjetet sociale nga Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivave.

Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912 kjo ishte festa e parë dhe e vetme e qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali. Pa kaluar as dy muaj, Ismail Qemalit do të jepte dorëheqjen.

Dorëheqja e Ismail Qemalit nga posti i kryeministrit të parë të Shqipërisë në Vlorë, më 22 janar 1914, mbetet edhe sot një nga ngjarjet më domethënëse, por edhe më të keqkuptuara në historinë e Shqipërisë.

Dorëheqja e Ismail Qemalit i hapi rrugë një qeverisjeje të përkohshme e përcaktuar nga ndërkombëtarët, të cilën e udhëhoqi Princ Vidi.

Ismail Qemali së bashku me familjen e tij, pas dorëheqjes, u largua nga Vlora drejt Italisë e më tej në Francë. Pavarësisht situatës dramatike, ai nuk e humbi optimizmin dhe e shikonte largimin si të përkohshëm. Ai i këshilloi njerëzit e tij që të vazhdonin të bashkëvepronin me njëri-tjetrin “se një ditë do të vinte ora e bardhë e fatit të Shqipërisë”.