VIDEO/ Rijetësim i qendrës historike të Pogradecit
Rehabilitimi dhe rijetësimi i qendrës historike të Pogradecit do të jetë një mundësi e shtuar për qytetin, duke ndërlidhur itinerare kulturore e turistike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i rilindjes së qendrës historike të Pogradecit, ndërsa vlerësoi se ky investim do ta kthejë këtë zonë në një pol të rëndësishëm turistik.
Rama theksoi se projekti ruan njëkohësisht edhe arkitekturën e ndërtesave karakteristike dhe rrugicave me kalldrëm.
Krahas kësaj, projekti për rehabilitimin dhe rijetësimin e qendrës historike të Pogradecit parashikon daljen në dritë të një sërë objektesh historike të fillimshekullit XX.
Restaurimit dhe rijetësimit i është nënshtruar edhe Kalaja e Pogradecit një dëshmi e historisë dhe trashëgimisë kulturore, e lokalizuar në anën perëndimore të qytetit në një lartësi 205 metra mbi nivelin e liqenit. Kjo kala konsiderohet monument kulture.
Qendra historike e Pogradecit është hapësirë me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit të Pogradecit dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij.
Në qendrën historike ndërhyrjet restauruese synojnë ruajtjen e hapësirave urbanistiko-arkitekturore, rrjetit rrugor tradicional në kompozim dhe teknikë, duke mbajtur të pandryshuar konfiguracionin e truallit të hapësirave pushuese dhe të bimësisë tradicionale.

