SI QESHNIM DIKUR? Bujar Kapexhiu pa filtra: Me politikanët as nuk mund ta mendoje të bëje humor
Në prag të ndërrimit të viteve, në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News” i kushtoi një vëmendje traditës së kaluar të festimit të natës së Vitit të Ri.
Regjisori, skenaristi, karikaturisti dhe aktori i mirënjohur shqiptar, Bujar Kapexhiu i pyetur nga moderatorja Beti Njuma solli kujtimet e tij.
“Ndoshta 20 apo 25 vitesh nga dita e filmit unë vajta në Sarandë, në atë kohë ishte kryetare bashkie një zonjë dhe po shikonte që unë po shikoja se ku janë vendet e xhirimit dhe nuk po gjenja dot asnjë vend të xhirimit se ishin mbuluar të gjitha edhe shkallët e pallateve.
Dhe më pa, e buzëqeshur më tha: “Bujar, si po të duket Saranda?” Dhe unë i thashë” “Zonja kryetare, më mirë se kaq nuk kishit mundësi ta prishnit”.
Në atë kohë bëhej humor, megjithëse problemi ishte se ishte e kufizuar jo vetëm problematika, por edhe niveli i humorit se deri ku shkohej.
Nuk mendohej që të bëhej humor me personalitete politike. Humor mund të bëhej me shefat, drejtorët, shumë – shumë me drejtorët e drejtorive nëpër ministri, dhe kulmi do të ishte nëse do të bëhej me ndonjë zëvendësministër.
Kurse për të tjerat as nuk mund ta mendoje se mund të bëje humor”, rrëfeu artisti i madh Bujar Kapexhiu.

