U shoqëruan në Komisariat protestuesit demokrat dhe mes tyre një i mitur, Balliu: Do të ketë një kallëzim nga PD për këtë...
Pas protestës se opozitës para Kryeministrisë, ka patur shoqërime të protestuesve demokrat drejt Komisariatit nr.1 të kryeqytetit dhe kjo ka sjellë menjëherë reagimin e deputetëve të PD.
Klevis Balliu pas është interesuar në këtë Komisariat për këta shtetas të cilët po hetohen, ka dal para mediave dhe është shprehur se pritet të bëhet një kallëzim nga ana e opozitës, pasi njëri prej të shoqëruarve ishte një i mitur.
Fjala e deputetit Klevis Balliu:
“Qytetarët çohen në protestë kundër këtij krimi monstruoz të një shteti të kapur nga Suel Çela, Troplinët e Xhabaftët dhe gjithë kartelet e tjera të drogës, të cilat sot kontrollojnë Shqipërinë.
Këta merren të arrestojnë qytetarët, nuk kursejnë as të miturit.
Ne patjetër do të bëjmë një kallëzim. Nuk mundet të arrestohen të miturit, thjesht që këta të plotësojnë normën dhe kjo ka një arsye pse bëhet.
Sepse kërkojnë t’i vendosin frikë qytetarëve shqiptarë që mos të revoltohen ndaj tyre.
Unë ju garantojë, këtë polici shteti, këtë rajon dhe çdo rajon tjetër, përfshirë këtu dhe Edi Ramën, në protestën e ardhshme nëse këta nuk zejnë mend, që do të thotë që Edi Rama nuk jep dorëheqjen.
Aksioni jonë do të përshkallëzohet shumë fish dhe shumë herë sesa ishte sot dhe çdo herë tjetër.
Pra, në këtë kontekst, deputetët e PD që janë sot këtu, janë në mbështetje të qytetarëve, kemi edhe avokatët e PD, të cilët do të kujdesen këta protestues.
Të jemi të qartë, nuk kanë bërë absolutisht asgjë. E takova shefin e Komisariatit, e pyeta se për çfarë po mbaheshin këto qytetarë dhe na tha se dyshohen për akte dhune.
Pyeta se për cilat lloj akte dhune, më shpjegoi për përplasjet me policinë dhe i thashë që unë nuk di që ndonjë nga këta, përfshirë dhe ky i mituri të jetë përplasur me policinë.
Përgjigja e tij ishte që nuk thamë që ata i kanë kryer, ne thjesht po i hetojmë."
