Ramaj: Situata është më e rënda në këto 30 vite. Korrupsioni është sostifikuar, këtu vidhet e gjithë procedura e një tenderi
Partia Demokratike zhvilloi pasditen e kësaj të hëne protestën e parë kombëtare pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë.
Protesta e opozitës u thirr pas padisë së ngritur nga SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.
Ndërsa shkonte drejt përfundimit, protesta u tensionua, ndërsa dhjetëra koktejle molotov janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë, duke shpërthyer në flakë.
Tensionet nisën menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, nisi hedhja e molotovëve që kanë rrezikuar forcat e rendit që ishin mbledhur kordon në ruajtje të institucionit.
Po ashtu, edhe protestuesit rrezikuan nga hedhja e molotovëve ndërsa njëri prej tyre u përfshi nga flakët për disa momente.
Po ashtu protestuesit u përplasen me forcat e Policisë së Shtetit, pasi hoqën një pjesë të gardhit rrethues të vendosur provizorisht pranë godinës së qeverisë dhe vendosën foto të anëtarëve të kabinetit qeveritar.
Pas këtyre momenteve tensionesh, protestuesit janë tërhequr nga Kryeministria duke u zhvendosur në bulevard drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë së Tiranës duke iu drejtuar Kuvendit dhe duke e përfunduar në selinë e PD-së.
E ndërsa protesta mbaroi, ajo që mbetet e paqartë është aksioni i radhës i opozitës.
Ishte kjo tema e diskutimit mbrëmjen e sotme në emisionin “Drejt” në “Ora News” të moderuar nga Luan Rama
Për të kuptuar më shumë mbi këtë situatë të krijuar pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, i ftuar ishte avokati Redi Ramaj.
“Për zonjën Balluku ka pasur fillimisht një komunikim akuze dhe marrje si e pandehur. Pastaj kanë dalë disa episode të shkeljeve të barazisë në tendera dhe si pasojë janë vënë dhe dy masa ndalimi, si pezullimi nga detyra dhe ndalimi për daljen jashtë shteti, që është ende në fuqi.
Dhe Gjykata Kushtetuese në shqyrtimin e kërkesave të Këshillit të Ministrave ka një praktikë që e ndoqi edhe me z. Veliaj pezullon çdo lloj akti që ka në fuqi deri në marrjen e një vendimi, siç është pezullimi i vendosur nga SPAK.
Por të gjithë këtu e kanë mëse të qartë, që nuk jemi në një situatë normale. Jemi ndoshta në situatën më të rëndë në këto 30 vite dhe është një histori që përsëritet.
Ka pasur korrupsion edhe më herët, por mënyra se si korrupsioni është sostifikuar, përfshirja e grupeve kriminale, këtu vidhet e gjithë procedura e një tenderi. Ku puna bëhet me punonjësit e bashkisë dhe i gjithë tenderi shkon në xhepat e zyrtarëve që korruptojnë dhe bëjnë veprime të paligjshme”, deklaroi ndër të tjera avokati Redi Ramaj
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “DREJT” NË “ORA NEWS”

