ISH-PRESIDENTI/ Akademiku Rexhep Meidani vlerësohet nga Universiteti i Tetovës me titullin “Doctor Honoris Causa” (FOTO)
Akademik Rexhep Meidani, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u vlerësua me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tetovës.

Ceremonia solemne u mbajt ditën e djeshme (17 dhjetor 2025), në Amfiteatrin e UT-së, me rastin e 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës.
Akad. Rexhep Meidani u vlerësua me titullin
Doctor Honoris Causa për kontributin e tij në shkencë, arsim dhe jetën publike.

Titulli, së bashku me logon dhe flamurin e universitetit, u dorëzua nga rektori i Universitetit të Tetovës, prof. dr. Jusuf Zejneli.

Rexhep Meidani ka lindur më 17 gusht 1944. Ai ka kryer studimet universitare dhe pasuniversitare për fizikë në Shqipëri dhe në Francë.

Prej vitit 2003 është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka qenë President i Shqipërisë gjatë viteve 1997- 2002.
Akad. Meidani, përveç veprimtarisë së pasur pedagogjike e shkencore, ka shkruar dhjetëra libra shkencorë, filozofik-shkencorë dhe monografi.
Pjesë e veprave të tij janë edhe librat publicistikë dhe eseistikë. Për shumë vite me radhë ai ka dhënë mësim në Universitetin e Tetovës.

