“36” NGA BLEDAR GRAMO/ Tempulli i kulturës në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë
Galeria e Artit Bashkëkohor Tiranë sjell këtë fundvit një atmosferë tepër emocionale, me punimet e artistit Bledar Gramo. Ekspozita më e re, e titulluar 36, si numri i shkronjave të alfabetit shqip, është në vetvete një vepër e gjallë arti. Ajo i fton vizitorët në një arkitekturë ndjesish, me vepra pamore, zanore dhe lëvizore.
Kuratori i ekspozitës, Alban Kardashi, e personifikon autorin me një arkitekt që arrin të shkrijë mes tyre ikonën, gjuhën, zërin, trupin dhe historinë.
Sipas tij “Bledar Gramo ndërton një territor ku shikimi nuk është më shqisë e privilegjuar, por bëhet pjesë e një organizmi shqisor më të gjerë, ku dëgjimi, prekja, nuhatja dhe lëvizja janë njësoj themelore.”
Vetë artisti i përket kategorisë së krijuesve që figurën e përdorin për të ilustruar materien, por edhe për të ndërtuar sisteme kujtese nëpërmjet narrativës historike.
Edhe ndarja e punëve të tij në dy grupime përfaqëson pikërisht kalimin emocional të shikuesve nga njëra gjendje në tjetrën.
Kjo ekspozitë mbyll prurjet artistike të vitit 2025 në Galerinë e Artit Bashkëkohor Tiranë e cila, me mbështetjen e Fondacionit Mane, është kthyer në një pikë referimi e vlerave më të mira të artit bashkëkohor.

